Basha pas kongresit të PPE: Mbështetje për dekriminalizimin

Përpara kthimit nga Madridi, ku mori pjesë në kongresin e Partisë Popullore Europiane, Lulizm Basha u shpreh i vendosur për të çuar deri në fund procesin e dekriminalizimit, për të cilin, siç tha, ka marrë mbështetjen e pakufizuar nga partnerët europianë.

“Nuk ka njeri në Bashkimin Europian, në instancat vendimmarrëse që nuk e di, nuk e njeh problemin e madh që ka Shqipëria sot dhe që nuk i është bashkuar thirrjes tonë për zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Për fat të keq, qeveria, ajo që e shkaktoi këtë problem, Edi Rama dhe partneri i tij Ilir Meta vazhdojnë me këmbëngulje të mbrojnë veprën e tyre, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është edhe rasti i fundit kur refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë, siç refuzojnë një politikë të denjë dhe të pastër për qytetarët shqiptarë duke kandiduar persona me rekorde kriminale në zgjedhjet e fundit për kryetarë bashkish. Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klaneve kriminale që e kanë zaptuar për të rrjepur popullin, asetet publike, pasuritë publike dhe vendimmarrjen publike është misioni ynë”, deklaroi Basha.

Paralelisht me dekriminalizimin, Partia Demokratike po bën betejë edhe për hetimin ndërkombëtar të aferës CEZ, që duket se do të vazhdojë të jetë në fokusin kryesor të opozitës.

“Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë, përveç një hetimi të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare, siç e kemi kërkuar me propozimin, ligjin që kemi çuar në Parlament, i cili po mbahet dhe nuk po votohet nga të njejtat persona që e ndaluan me ligj hetimin e aferës më të madhe korruptive, aferës së CEZ-it. Janë marrë 600 milionë euro, janë marrë pra një shumë e barabartë me gjithë fondin e pensioneve të Shqipërisë. Janë zhdukur, janë vjedhur, janë ndarë. KLSH tashmë ka treguar edhe përmes dokumentave zyrtare edhe fajtorët e parë, personat e parë përgjegjës që janë ministri përkatës dhe zyra e Avokatit të Shtetit. Sigurisht urdhri ka qenë një urdhër politik, këtë e kemi kuptuar, këtë madje edhe e kanë pranuar. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje të opozitës për zbardhjen e kësaj afere korruptive”, tha Basha.

Leave a Reply