Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi se javën tjetër do të dalin në dritë të dhëna të reja që sipas tij e lidhin qeverinë Rama me krimin.
Basha nuk sqaroi se për çfarë informacionesh bëhet fjalë dhe nëse këto të dhëna kanë lidhje me dosjen Habilaj ose jo. Ai akuzoi Ramën se po mbron Tahirin dhe Habiljat.
“Punonjësit e shërbimit të kontrollit të Ministrisë që arrestuan Zaganin duhet të hetohen dhe të merren të pandehur për montim akuzash dhe konspiracion në mbështetje të krimit. Këtë duhet të bënte Edi Rama, të çonte këta punonjës në prokurori. Por Edi Rama nuk është më kryeministër. Tani ai është avokati mbrojtës i Tahirit dhe i Habiljave”, tha z. Basha.
Kreu demokrat përshëndeti deklaratën e Partive Popullore Europiane dhe deklaroi se qëndrimi amerikan dhe europian është i qartë.
“Mbështetje për prokurorët dhe gjyqtarët që po hetojnë lidhjet e politikës me krimin, dënim të sulmeve dhe ndikimeve politike ndaj drejtësisë, barazi para ligjit të çdokujt, përfshi edhe politikanët më të lartë”, deklaroi Basha.
Top Channel