Basha pret kryevëzhguesen Audry Glover: Rama-Meta, skemë manipulimi për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti këtë të hënë kryesuesen e misionit të vëshgimit të zgjedhjeve në Shqipëri, zonjën Audry Glover, me të cilën ndau shqetësimin për një sërë zhvillimesh që sipas tij po cënojnë e po vënë në rrezik standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Basha tha se, dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e manipulimit të votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike, për të blerë votat dhe për të marrë vota me çdo mënyrë.

Kryetari i PD-së shprehu gjithashtu shqetësimin për dhunën e ushtruar ndaj anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratke gjatë tubimeve elektorale.

“Dhuna policore dhe presioni ndaj disa kandidatëve janë një shembull i keq i përdorimit politik nga qeveria të Policisë së Shtetit, me përpjekjen për të shantazhuar mbështetësit e opozitës”, deklaroi Basha.

Ai tha gjithashtu se, mazhoranca përmes KQZ-së tenton të eleminojë, duke mos lejuar kandidimin në disa zona të kandidatëve, aty ku Rama dhe Meta, sipas tij, dyshojnë se këto alternativa tërheqin vota të shumicës.

“Janë shumë shqetësuese tentativat për manipulimin e listave zgjedhore të konstatuara në Durrës, ku janë vendosur fiktivizht qindra qytetarë në lista, edhe pse vendbanimi i tyre nuk është në këtë zonë zgjedhore”, theksoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike u ndal dhe tek procesi i dekriminalizimit, duke ndarë shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore që do të ndalonin personat me preçedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit.

Nga ana e saj, zonja Glover mbajti shënim rastet konkrete të paraqitura nga Basha dhe u angazhua për monitorim të thellë e serioz të situatës.

Leave a Reply