Në takimin me Zëvendësministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Linhart, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e konsideroi qeverinë si tërësisht të paralizuar për shkak të situatës së krijuar në vend nga zbulimi i lidhjeve të saj më trafikun ndërkombëtar të drogës.
Kryetari i Partisë Demokratike tha se emigrimi rekord i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian është pasojë e zhgënjimit nga qeverisja, e cila përfaqësohet në çdo nivel me njerëz të inkriminuar dhe të korruptuar.
“Bashkimi Europian nuk mund ta injorojë këtë problematikë, pasi i rrezikohet kredibiliteti”- tha Kryetari Basha.
Shembja e lidhjeve të krimit me politikën është urgjencë kombëtare për të ndalur marshimin e krimit të organizuar në qeverisje dhe ekonominë e vendit dhe për të rikthyer legjitimitetin e qeverisjes.
Partia Demokratike beson se realizimi i reformës zgjedhore, duke përfshirë sistemin elektronik të votimit, është një nga mënyrat për të dalë nga kriza dhe për të kthyer besimin tek njerëzit.
Kryetari i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, e falenderoi Zv/ministrin e Jashtëm Linhart për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhe, veçanërisht të kryeministrit Kurz, për integrimin europian të Ballkanit.
Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Austria do të marrë Presidencën e Bashkimit Europian dhe Zv/ministri i shprehu Bashs mbështetjen e plotë të vendit të tij për zbatimin e reformave dhe arritjes së rezultateve konkrete.