Basha shmang përballjen me Berishën në seancën e parë të Parlamentit

30 minuta ka zgjatur seanca e parë e legjislaturës së X të Parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Pas 2 vitesh mungesë, opozita ka hyrë në Kuvend, por në një mënyrë të pazakontë. Për herë të parë në 30 vite, Berisha nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PD-së. Lulzim Basha njoftoi mbrëmjen e së enjtes përjashtimin e tij nga grupi i PD për shkak të vendimit “non grata” të DASH.

Pas vendimit të Bashës të cilin e konsideron nul, Sali Berisha shkoi në Parlament por duke shmangur një përballje me kryedemokratin. Ky i fundit zgjodhi rrugë tjetër për të shkuar në Parlament nga selia e PD, duke kaluar përmes kalasë së Tiranës.

Ndërsa Sali Berisha u prit me brohorima nga simpatizantë të tij jashtë Parlamentit dhe nga disa deputetë demokratë.

“Do marrë përgjigjen që meriton është njeriu që shet Partinë Demokratike për pazare me Edi Ramën. Lëvizja ime e radhës do të jetë lëvizje statutore. Unë them që emergjenca është kjo, PD do të rivendosë legjitimitetin të grabitur plotësisht nga marrëveshja Rama-Basha”, tha ish-Kryeministri.

Duke folur sërish jashtë Parlamentit pas përfundimit të seancës, Sali Berisha e akuzoi Bashën për marrëveshje të fshehtë me Edi Ramën.

Për të mbrojtur interesin publik të qyetarëve shqiptarë, për të mbrojtur interesin e kombit shqiptar, për të denoncuar të gjitha aferat e këtij regjimi të kakistokracisë, regjim i cili ka zgjedhur shpifjen trillimin, kurthet e pazaret për të rrënuar opozitarizmin shqiptar. Ajo që ndodhi është një marrëveshje Rama-Basha në kurriz të zgjedhësve shqiptarë dhe duhet të çmontohet një minutë e më parë. PD është një parti e interesit kombëtar. Jam i bindur se demokratët shqiptarë do dinë të vendosin Partinë Demokratike në piedestal. Do marr çdo nismë statutore për të çuar PD në piedestal. Unë jam anëtar i Grupit Parlamentar të PD, vendimi i Bashës është nul”, tha Berisha.

Më tej ai u pyet nga gazetarët nëse mund të futet dot në selinë e PD-së dhe premtoi që jo vetëm mund të hyjë, por do të ngrejë PD-në në piedestal.

Në çdo kohë mund të hyj. Do jetë shumë e afërt dita që PD do të rifitojë sërish forcën për të rrëzuar një klikë sunduese”, shtoi Berisha.

Pas përfundimit të seancës, Lulzim Basha u kthye sërish në selinë e PD nga rruga që përshkoi në fillim, duke kaluar mes për mes kalasë së Tiranës dhe nuk bëri asnjë koment për gazetarët. Ai shoqërohej nga Gazment Bardhi, Ervin Salianji dhe deputetë të tjerë demokrat.

Ndërkohë, për t’u rikthyer në punimet e Kuvendit, sipas rregullores së Parlamentit, seanca u hap nga Luljeta Bozo e PS, si deputetja më e vjetër në moshë.

Bozo lexoi emrat e të gjithë deputetëve të rinj që hyjnë në Parlament, sikurse e parashikon protokolli.

Populli na ka zgjedhur me votën e tij,por sot është detyra jonë të punojmë të gjithë njësoj pa dallime partiake. Paçim punë të mbarë të gjithë, të majtë e të djathtë sepse të gjithë punojmë për të mirën e vendit tonë”, u shpreh Luljeta Bozo duke shënuar nisjen e seancës plenare.

Seanca nisi në orën 10:00 dhe përfundoi në orën 10:30. Në respektim të rregullave anti-Covid, deputetëve iu mat temperature në hyrje të Kuvendit dhe ishin të pajisur me maskë. Parlamenti do të mblidhet sërish në orën 17:00 të së premtes për t’u bërë votëbesimi i deputetëve.

Leave a Reply