Lulzim Basha, ka denoncuar nga mitingu elektoral në Klos, atë që quajti presioni dhe terrori i pushtetit për votën e 21 Qershorit. Por, për kryetarin e opozitës, as presioni dhe as terrori nuk do të funksionojnë, pasi në besimin e tij, qytetarët shqiptarë nuk do të lejojnë atë që Basha e quajti vendosjen e diktaturës.
“Po në cilën demokraci vendos presioni, në cilën demokraci vendos terrori? Vetëm në diktaturë, po diktaturë nuk do të ketë! 21 qershori është festa e demokracisë, betejën e 21 qershorit nuk e vendosin të korruptuarit, nuk e vendosin banditët. Fatin e 21 qershorit e vendosni ju me votën tuaj”, tha Basha.
Kryetari i opozitës i kërkoi banorëve të Klosit të përdorin si duhet votën e tyre, prej nga ai beson se do të varet fati i gjithësecilit për punë dhe mirëqenie: “Jepjani votat platformës sonë sepse para se të jetë platformë politike, është platforma e shpëtimit, është platforma e bukës së gojës, është platforma e punës dhe dinjitetit për çdo banor e banore të Klosit dhe Shqipërisë!”
Në Bulqizë, Lulzim Basha gjithashtu shprehu besimin se dyshja Rama-Meta do të përballet me votën e ndëshkimit nga qytetarët në 21 qershor, për premtimet e pambajtura, varfërimin dhe shkatërrimin e pronës. Ndëshkimi i qytetarëve për Lulzim Bashën është frika që ka kapur pushtetin: “Vota juaj është ligji suprem, vota juaj është ligj i ligjit. Bëjeni ligjin me votën tuaj, në 21 qershor. Votoni për PD, votoni për uljen e menjëhershme të çmimit të energjisë me 25%, faljen e kamatë-vonesave, uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, rritjen e rrogave e pensioneve, uljen e menjëhershme me 20% përmes eliminimit të TVSH, të mallrave të shportës, të miellit, orizit, sheqerit, vajit, qumështit, bukës, sepse kohët janë mjaft të vështira për shqiptarët dhe ka nevojë për ndërhyrje urgjente, ka nevojë për shpresë e shpëtim të menjëhershëm”