Bashkëpunimi SHBA-NATO/ Stoltenberg: Biden mbështetës i fortë, por kemi sfida përpara

Presidenti Joe Biden e konfirmoi me forcë angazhimin e SHBA-së në NATO, duke lehtësuar anëtarët e aleancës të cilët i kishin parë marrëdhëniet të ashpërsohen me paraardhësin e tij, Donald Trump.

Trumpi e kishte kritikuar e ndonjëherë edhe vënë në lojë Nato-n për faktin se aleatët europianë nuk shpenzonin më shumë për mbrojtjen. Numri një i aleancës, Jens Stoltenberg u shpreh shumë i kënaqur nga mbështetja e fuqishme e shefit të ri të Shtëpisë së Bardhë.

Stoltenberg kujtoi moton e përbashkët të aleancës, një për të gjithë të gjithë për një dhe lidhjen e fortë e bashkëpunimin e SHBA-së me Europën. “Pres me padurim që të punoj me të”, u shpreh Stoltemberg për Bloomberg ndërsa shtoi se ai është i mirëpritur në Samitin e Brukselit më vonë gjatë vitit.

“Përsa kohë qëndrojmë të bashkuara, Amerika e Veriut dhe Europa do t`i bëjmë ballë vështirësive dhe zhvillimeve të paparashikueshme më të cilat mund të ndeshet bota. Ai shtoi se në temat qendrore të momentit si Kina apo Rusia, ka një qëndrim të përbashkët ndonëse e pranoi se nuk mungojnë dallimet e ndonjëherë edhe mosmarrëveshjet.

Megjithatë ai u shpreh i bindur se me administratën Biden do të çelet një kapitull i ri në marrëdhëniet transatlantike. “ Një Nato e fortë është mirë për Europën, por është mirë edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Stoltenberg që shtoi se ka sfida përpara me të cilat ndeshet aleanca, siç është rritja e Kinës që siç tha ai shumë shpejt do të ketë ekonominë më të madhe në botë.

Leave a Reply