Bashkësia Fetare Islame ka bekimin e Allahut xh.sh. dhe, nën këtë bekim, nuk mund të jenë edhe ata që nuk ia duan të mirën islamit, që i përbuzin dhe i shkelin parimet islame, që organizimin e jetës fetare islame e bëjnë nga prizmi partiak-ateist
Shkruan Afrim Tahiri
Republika e Maqedonisë së Veriut përgjatë vitit 2020 përjetoi një sërë zhvillimesh të rëndësishme politike, socio-ekonomike, shëndetësore si dhe fetare. Kaloi dhe akoma po kalon periudhë të rëndë shëndetësore si pasojë e pandemisë së koronavirusit Covid-19. Si pasojë e shumë problemeve të brendshme politike, si pasojë e kapjes së shtetit, si pasojë e mosreformave thelbësore në sistemin e drejtësisë, si pasojë e ngjalljes së nacionalizmit maqedonas duke u përpjekur për të ushtruar superioritet etnik e politik si, brenda vendit ashtu edhe ndaj fqinjëve, Republika e Maqedonisë së Veriut edhe sivjet ngeli larg mundësive për fuqizimin e ndryshimeve imediate për të nisur bisedimet rreth inkuadrimit të saj në BE. U shtua demoralizimi i popullatës! U shtua varfëria në popullatë. Paketat sociale si ndihmë për t’i përballuar problemet si pasojë e koronavirusit, nxorën në shesh një mori anomalishë të cilat ndër faktorët e jashtëm më tepër u vlerësuan si burim i mundshëm për shplarje parashë, për vjedhje e pasurim, se sa si ndihmë e sinqertë dhe shtetërore ndaj shtresave vulnerablë.
Besueshmëria ndaj BFI-së
Raporti i Stejt Departamentit për liritë fetare për vitin 2019 nuk ishte i favorshëm për Bashkësinë Fetare Islame, e cila u përball me një skenar shumë të rrezikshëm që mbante erë politike nga njerëzit e pushtetit. Aktorët u përmedon me emër e mbiemër, gjë që nuk i bën aspak nder Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe përcaktimeve të saj për një sistem me demokraci të mirëfilltë.
Nga opinioni i gjërë, nga analistë e intelektualë u vlerësua se, i njëjti skenar u përsërit edhe në maj të vitit 2020, ndonëse “më i sofistikuar” dhe “më demokratik”! U vlerësua si sulm i pushtetit për ta futur në duar të vetmin Institucion fetar Islam dhe për të arritur çfarëdo ndikimi politik te elektorati i myslimanëve në Maqedoninë e Veriut, elektorat ky që të dy partive në pushtet u ka dhënë mjaft vota sa për të themeluar një pushtet tejet të brishtë.
Natyrisht, përkundër të gjitha përpjekjeve që puçit klasik që u zhvillua në BFI t’i japin karakter kriminal që ka shkaktuar probleme të rënda ekonomike e financiare brenda Institucionit, dora politike ngeli në të thatë dhe dolën sheshit të gjitha skenaret e pushtetit.
Kjo përzirje e partive politike aspak nuk u prit mirë nga faktorët ndërkombëtarë. U pranua se pushteti aktual e paska ndihmuar financiarisht BFI-në sa për t’i tejkaluar problemet financiare që na i paska ky Institucion. Vetë fakti që qëndrueshmëria financiare vijon të jetë dimensioni më i dobët i këtij Institucioni flet se, kalkulimet politike do të ndikojnë edhe në besueshmërinë e besimtarëve ndaj BFI-së, të cilët, në shumicë as që dëshirojnë të shtrijnë dorën e ndihmës, sadoqë mund të jenë militantë partiakë. Kjo flet se myslimanët e vendit nuk e dëshirojnë një Institucion fetar të politizuar, aq me pak të partizuar, aq më pak që pushtetmbajësit të fusin duart në të gjitha sektoret e saj.
Kuadri ligjor i shtetit dhe i BFI-së
Mjedisi ligjor për bashkësitë fetare si dhe grupet religjioze në Maqedoninë e Veriut ka pësuar disa ndryshime, edhe atë, në varësi të interesave politike. Ndryshimi i fundit i Ligjit për pozitën juridike të kishës, bashkësisë fetare dhe e grupeve religjioze, është ai i vitit 2007, i cili nisi të zbatohet nga 1 maji i vitit 2008. Me këtë ligj nuk rregullohet kurrfarë raporti në mes të kuadrit ligjor shtetëror si dhe të institucioneve, organizatave dhe asociacioneve fetare e religjioze. Thjesht, është një konglomerat i ligjeve të kushetutave të bashkësive fetare dhe e statuteve të grupeve religjioze. Nëse bëhet krahasimi i ligjit të mëparshëm me atë të ligjit që pësoi ndryshime themelore, del në shesh përpjekja e vetme për t’u liruar nga një nen (neni 6/1997), i cili qartë e nënvizon nërhyrjen e domosdoshme të organeve shtetërore në rast të devijimit të punëve në cilindo bashkësi fetare apo grup religjioz. Është për t’u habitur se si në rastin e Bashkësisë Fetare Islame nuk ka kurfarë raporti të organeve gjegjëse shtetërore për ndonjë rast abuzimi apo ndërhyrje shtetërore për gjatë vitive 2019/2020! Edhe mjetet e informimit, qoftë të shkruara qoftë vizive, kan qëndruar sa më larg aferave në të cilat kanë qenë të përziera lloj-lloj struktura pranë pushtetit. Pushteti në asnjë moment nuk ka marrur mundin që të organizojë ndonjë komision apo audit të pavarur i cili do ta hulumtonte dhe analizonte mirë e mirë përfshirjen eventuale të segmenteve të pushtetit në degradimin dhe në deinstitucionalizimin e Bashkësisë Fetare Islame në RMV.
Neni 6 i Ligjit për kishën, bashkësitë fetare dhe grupet religjioze, të vitit 1997, thoshte: “Tubimet fetare, parimet fetare, vula fetare… nuk guxojnë të përdoret për qëllime politike, për nxitje të mostolerancës fetare, nacionale si dhe për qëllimet e tjera të ndaluara me Kushtetutë dhe me ligj”!
Në Bashkësinë Fetare Islame pati përpjekje të pushtetit që të instalohet një “reis politik” me ndihmën e gjykatës shtetërore! Jo myslimanët, jo organet e BFI-së, jo sipas Kushtetutës së BFI-së por, të imponohet “reis” me vendim gjykate. Një proces i tërë i falcifikuar! I falcifikuar tubimi, e falcifikuar vula, i falcifikuar kuadri fetar zgjedhor! Pushteti vetëm sa e vështroi i nemitur këtë cirkuziadë dhe u turpërua nga skenari qesharak që u bë lëndë e raportit amerikan!
I njëjti skenar u përsërit më vitin 2020! Por, kësaj radhe duart e pushtetit nuk u vërejtën në mënyrë aq transparente. Ndodhi i njëjti skenar por me aktorë të tjerë, “më profesionistë”, ndonëse edhe këtu pati tubim të falsifikuar, falsifikim të vulave dhe të kuadrit vendosës për shkarkim dhe emërim!
Pasuan një mori shkeljesh të kuadrit ligjor si të organeve të shtetit ashtu edhe të vetë Kushtetutës së BFI-së e cila është e deponuar në Gjykatën Themelore – Shkupi 2, organ ky që duhet të jetë mburojë dhe garancë e zbatimit të çdo germe të aktit më të lart normativ që është deponuar aty!
Bashkësia Fetare Islame ka Kushtetutën e vet dhe, nuk pranon kurrfarë vendimesh të organeve kolektive që bien ndesh kësaj Kushtetute, me përjashtim të gjendjeve të jashtëzakonshme kur edhe mund të imponojnë miratim të ligjeve që nuk i parasheh as Kushtetuta dhe as aktet e tjera normative të BFI-së. Për shembull, u soll vendimi që për shkak të pandemisë “të mbyllen” xhamitë, të mos ketë tubime, falje kolektive, të mos falet xhumaja në xhami dhe të mos festohen masovikisht festat fetare! Megjithatë, organizimi i jetës fetare, organizimi i organeve, institucioneve, zgjedhjeve, mënyra e zgjedhjeve, përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhje, nuk mund të ndodhë ndryshe përveçse ashtu siç e parashohin aktet normative të BFI-së. Në raste të jashtëzakonshme pezullohen të gjitha aktivitetet, përfshirë edhe zgjedhjet dhe, nuk ka aktivitete përderisa nuk kalon gjendja emergjente!
Pushteti aktual, pa dyshim që i keqpërdori këto masa emergjente, e keqpërdori situatën dhe, për politika ditore, lejoi, motivoi madje edhe zhvilloi skandale të parikuperueshme në BFI. Askush nuk e parashikoi se këto skandale do të mund të ishin fillimi i fundit të koegzistencës në Maqedoninë e Veriut dhe, kuluareve të diplomacisë evropiane përflitet ky rast, duke menduar që edhe tejkalimin e kësaj krize ta bëjnë si kusht për fillimin e negociatave me BE-në. Një shtet me një bashkësi fetare islame të politizuar në format të “bombës atomike” nuk i duhet BE-së.
Në BFI tashmë janë përçuar mesazhet e ndërkombëtarëve: “Nuk ka respektim por as BFI pa rikthimin e integritetit të saj, i cili nënkupton, sanim të të gjitha instalimeve të dobëta dhe pasojave nga shkeljet e kushtetutshmërisë së BFI-së”! Qëndrimet për bashkëpunim mund të përafrohen vetëm pasi të jetë qind për qind e gatshme BFI-ja për kthim në normalitet dhe për sanskionim të të gjithë atyreve që shkelën mbi integritetin e BFI-së shekullore.
Kapaciteti organizativ aktual
Kapaciteti organizativ i BFI-së pati një rënie rapide. Jo vetëm problemet ekonomike por edhe humbja e besueshmërisë në organet menaxhuese të BFI-së ndikuan që gradualisht të shterrojnë burimet financiare të BFI-së, që kryesisht janë kontributet financiare fetare të besimtarëve të vendit dhe nga diaspora. Përkundër këtyre problemeve organet e BFI-së, të cilët e përbejnë organin më të lartë kolektiv, Rijasetin, vazhdimisht kanë raportuar për qëndrueshmëri dhe avancim financiar të këtij Institucioni! Në fund, e pranuan se “u deshtën ndryshimet për shkak të dobësimit financiar të BFI-së”!
Në çka po mbështetet aktualisht këto kapacitete organizative dhe “zhvillimore”? Kryesisht në të hyrat nga letrat me vlerë nga procesi i denacionalizimit të pronave të vakëfit! Megjithatë, këtu edhe po ndodhë mëkati më i madh si dhe veprimi në kundërshtim me të gjitha parimet fetare (kjo gjë sanksionohej me nenin 6 të Ligjit për bashkësitë fetare dhe grupet religjioze të vitit 1997), por edhe me dispozitat ligjore të shtetit! Financat e dedikuara nuk mund të keqpërdoren e të shpenzohen për qëllimet të tjera. Këtë e sanskionojnë ligjet e shtetit. Në BFI, “shitet” (në fakt, falet) vakëfi për rroga, ndërkohë që me ato para duhet të blehet tjetër vakëf, mundësisht të shtohet dhe jo të shpenzohet!
Mungesa e kapaciteteve profesionale sjell vendime qesharake, për të mos thënë idiotike, jasht trurit të shëndoshë. Keni dëgjuar se si trumpetojnë me pompozitet se kemi “themeluar Institutin e Hifzit”!
Çka nënkuptojnë këta “kapacitete” me nocionin “Instituti i Hifzit? Për çfarë degësh të hifzit angazhohet ky Institut. Çfarë kërkimesh studimore kryhen në këtë Institut, kush i kryen ato, kush ia vlerëson rezultatet? Clat janë sektoret e këtij Instituti, a ka paraparë themeluesi” ndonjë laborator të domosdoshëm për këtë Institut? Fjala Institut do të thotë: “Shkollë e lartë që përgatit specialistë për një a për disa degë të ekonomisë e të kulturës (përfshirë këtu edhe të fesë), të shkencës e të teknikës; qendër për kërkime e studime shkencore në një fushë të caktuar, me disa sektorë, me laboratorë etj.”
Kohë më parë këta “kapacitete” diletante dolën edhe me një nocion të një “instituti” që nuk ekziston askund në botë. Thanë se jemi gati ta hapim “Institutin e Arkivit të BFI-së”!!! Instituti është institut, arkivi arkiv! Mund të thuhet se po themelojmë Arkivin e BFI-së, si institucion më vete, por jo si Institut! Fondi i librav të vjetra nuk mund të përfshihet në Arkiv, pasi që është materie e bibliotekave, reliktet muzeale nuk mund të futen në arkiv pasi që janë lëndë e muzeve, as veshjet, objektet e ndryshme folkloristike nuk mund të futen në arkiv pasi që janë lëndë e etnologjisë. Ky “kapacitet kadrovik” i BFI-së duhet të dijë se, paralelisht me këtë ide duhet të funksionojë tashmë edhe komisioni gjegjës i cili do të merret me përcaktimin e objekteve arkivore, me dorëshkrimet, me dokumentat, të cilat, pastaj duhet të kenë komision të posaçëm i cili merret me vlerësimin e peshës së dokumentave dhe, varësisht nga ajo peshë, ka dokumenta që ruhen për dy vite, për pesë vite dhe përjetë! Fjala arkiv do të thotë: “Institucion që merret me grumbullimin, ruajtjen, sistemimin dhe pjesërisht edhe me botimin e dokumenteve e të dorëshkrimeve me vlerë historike; ndërtesa e këtij institucioni. Arkiv historik (qendror). Arkivi i shtetit. Punonjësit e arkivit. Fondet (materialet) e arkivit. Nxjerr nga arkivi.”
Aktet themeltare dhe nënligjore, vendimet e organit themeltar, duhet të jenë dokmentat e para që duhet të arkivoheshin dhe jo vendimi personal i një “reisi” totalisht ilegal, një kuadër politik dhe i shërbimeve të diskutueshme. Sa mund të themelojë ky “reis” diçka bazuar në vendimet dhe ligjet e Kushtetutës, ku ai tashmë është kualifikuar në shkelës kushtetutar të çdo akti normativ të BFI-së!
Advokimi
Edhe gjatë vitit 2020 advokimi në kthim të normalitetit të BFI-së ishte shumë i fortë. Ky advokim u zhvillua kryesisht nga Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI. Së fundmi, këtij advokimi iu bashkangjit edhe Këshilli për Mbrojtjen e Kushtetushmërisë së BFI-së. Lëvizja edhe më tej u mor kryesisht me dedektimin e problemeve të shumta si dhe me përpjekjet për ta devalvuar deri në shkatërrim këtë Institucion. Ndërsa Këshilli për mbrojtjen e Kushtetutshmërisë u themelua nga një grup i konsiderueshëm i teologëve të vendit fill pas uzurpimit të Rijasetit dhe pas puçit politik që u instalua në Bashkësinë Fetare Islame pas disa përpjekjeve të njëpasnjëshme të pushtetit aktual. Ky këshill u angazhua për t’i dedektuar të gjitha shkeljet kushtetutare, si dhe u angazhua në gjetjen e modaliteteve për përafrimin e qëndrimeve me opozitën e BFI-së (Lëvizjen), e cila të vetmën kërkesë e kishte kthimin në normalitet të BFI-së si dhe në sanksionim të të gjithë shkelësve të Kushtetutës së BFI-së.
Vlenë të nënvizohet edhe guximi intelektual i ish-reisit i cili vendosi që publikisht të dalë në televizion (TV21) dhe për të pohuar përzierjen e pushtetin aktual (BDI-LSDM) në BFI. Ish-reisi pati guxim që në emisionin Klik Plus të datës 11 nëntor 2020 të përmend edhe emra politikanësh të cilët kanë kërkuar prej tij që të heshtë dhe të pajtohet me vendimet politiko-partiake për ndryshimet e parapara për në BFI.
Alinea dy e Nenit 4 të Lgjit për Pozitën Juridike të kishës, bashkësive fetare dhe të grupeve religjioze, në mënyrë shumë të prerë flet për detyrimet e besimtarëve që, pavarësisht përkatësisë dhe bindjeve fetare, i kanë karshi Kushtetutës së shtetit si dhe ligjeve dhe rregulloreve të ndryshme. Falsifikimi i vendimeve, keqpërdorimi i individëve për realizimin e synimeve antiligjore, shkelja e aktit më të lartë normativ të Institucionit që mëtohet të kapet ilegalisht, janë akte të cilat që të gjithë bien ndesh ligjeve përkatëse të shtetit dhe, në një shtet normal patjetër që do të sanksionoheshin.
Krijohet përshtypja se, bazuar në emërtimin e Ligjit, në të cilën Institucioni i vetëm fetar islam i myslimanëve të RMV-së nuk përmendet fare, krijohet përshtypja se ky fakt ia pamundëson organeve gjegjëse të shtetit që të ndërhyjnë në të mirë të BFI-së! Ligji nuk e përmend askund fjalën “islam-e”, prandaj dhe, nuk ka ndërhyrje të organeve përkatëse në Bashkësinë Fetare Islame, prandaj dhe, u lejohet “minjëve që të bëjnë dasëm në mungesë të maçokut”!
Imazhi i BFI-së
Imazhi i BFI-së ka rënë dukshëm. Për pasojë ka humbur besueshmëria e myslimanëve ndaj Institucionit të vetëm fetar islam në RMV, të cilën, për këto vite e kanë pëcjellë një sërë skandalesh të paharrueshme. Sot, ekziston bindje e fortë se ky Institucion drejtohet nga bashkëpunëtorë të shërbimeve të ndryshme intelegjente, nga njerëz të pakualifikuar, të padiplomua, me diploma të blera, të falsifikuara, nga hajnat, tradhëtarët, nga imoralët dhe amoralët.
Sot, BFI-ja kundrohet si një shtëpi e dallkaukëve, e honxho-bonxhove që natë e ditë planifikojnë se si ta rjepin popullatën, si të vjedhin, si ta hanë kurbanin, si ta vjedhin haxhin, si t’i gllabërojnë të hyrat nga fitri e zeqati, si ta shesin e ta falin vakëfin. Janë publikuar qindra fakte e argumente që flasin për këto dukuri antiislame dhe asnjëherë nuk u demantuan, asnjëherë nuk u tha e kundërta e asaj që u botua.
BFI-ja e sotshme llogaritet si filiale e BDI-së, apo si institucion i bdizuar ku më tepër shprehet kujdesi për parimet partiake se sa për parimet fetare.
Përmirësimi i imazhit të BFI-së do shumë punë dhe do kohë të gjatë, sepse, përcepcioni i myslimanëve aktualë do kohë e do shumë mund që të ndryshohet kah e mira dhe e mbara. Veç kësaj është percepcion i pandryshueshëm edhe fakti që këta “kapacitete” të cilët e sollën në këtë derexhe BFI-në, nuk mund të jenë përmirësues të imazhit të saj. Pa një imazh të mirë, pa atë imazh të cilën BFI-ja e pati historikisht, vështirë se do të kthehen me kontribute personale e vullnetare të myslimanëve të vendit. Imazhi i këtij Institucioni nuk mund të kthehet me strategjinë e “pritjeve, urimeve dhe përshëndetjeve” që mbulojnë pasivitetin dhe mosdijet menaxheriale të “reisit” partiak i cili po “menaxhon” me bekimin e pushtetit politk aktual. Pritjet, përcjelljet, urimet e përshëndetjet mund të jenë në masë prej 1000-5000 apo 10 000 personave. Por ama, urrejtja prej 1 000 000 e më shumë shqiptarëve anekënd botës, si lexues dhe komentus mbi analizat, komentet dhe raportet e shumta, flasin për një masë kritike e cila duhet ta brengosë jo vetëm çdo “reis partiak” por edhe çdo pushtet që i futet aventurës për të menaxhuar me Bashkësinë Fetare Islame.
Bashkësia Fetare Islame ka bekimin e Allahut xh.sh. dhe, nën këtë bekim, nuk mund të jenë edhe ata që nuk ia duan të mirën islamit, që i përbuzin dhe i shkelin parimet islame, që organizimin e jetës fetare islame e bëjnë nga prizmi partiak-ateist.