Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mirëpriti dialogun aktual pozitiv me Turqinë, tha sot një zyrtar i Bashkimit Evropian (BE) pas takimit të Michel-it me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
“Presidenti i Këshillit të BE-së përshëndeti dialogun aktual pozitiv dhe theksoi rëndësinë për të de-eskaluar tensionet në mënyrë të qëndrueshme në Mesdheun lindor”, tha zyrtari, duke shtuar që Michel i kërkoi Çavuşoğlu-t “përmbajtje nga aktivitetet që mund të ushqejnë tensionet”.
Zyrtari tha se anëtarët e Këshillit të BE-së do të diskutojnë marrëdhëniet me Turqinë përsëri në muajin mars, duke shtuar se BE “pret të rinisë përparimi në bisedimet kërkimore midis Turqisë dhe Greqisë si dhe procesin e zgjidhjes së Qipros”.
“Presidenti i Këshillit të BE-së përsëriti dëshirën për të pasur një marrëdhënie konstruktive me Turqinë, por duhet të shohë rezultate të dukshme në terren”, shtoi zyrtari, duke theksuar se Michel kishte mirëpritur ftesën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për një vizitë në Ankara, ku akoma duhet të caktohen data dhe formati i vizitës.
U shtua se agjenda pozitive me Turqinë “mund të përfshijë përqendrimin në çështjet e migracionit, modernizimin e uninut doganor dhe dialogjet sektoriale të nivelit të lartë”.
Michel në Twitter u shpreh se kishte diskutuar marrëdhëniet BE-Turqi me Çavuşoğlu-n para samitit të liderëve të BE-së që do të mbahet në muajin mars.
“Dialogu duhet të prodhojë rezultate të dukshme në interes të BE-së dhe Turqisë”, tha ai.
Çavuşoğlu, i cili të mërkurën arriti në Bruksel në një vizitë dyditore, u takua me disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.