“Këto sanksione nuk do të jenë të fundit. Vendosëm të ndalojmë importin e qymyrit dhe po shqyrtojmë mundësinë të ndalojmë edhe importin e naftës dhe gjithë karburanteve të tjera fosile, prej të cilave Rusia përfiton para”.
Masa i heq Rusisë, 4 miliardë dollarë të ardhura në vit dhe nuk është e vetmja. Ndalohen anijet ruse të hyjnë në portet europiane. Po ashtu do të ndalohet eksporti i makinerive dhe mikroçipave në vlerë 10 miliardë Dollarë. Ndërsa kreu i Këshillit Europian propozoi një masë që synon të dobësojë edhe më tej fuqinë e ushtrisë ruse në Ukrainë.
“Ushtarëve rusë në fushën e betejës u them se nëse nuk duan të jenë pjesë e vrasjeve të vëllezërve dhe motrave të tyre ukrainase, nëse nuk doni të bëheni kriminelë, hidhni armët, ndalni së luftuari. Disa prej jush kanë propozuar që atyre t’u jepet azil dhe për mendimin tim, kjo vlen shumë”.
Zyrtarët në Moskë thanë se do të shlyejnë me rubla detyrimet për Eurobondet e maturuara për periudhën 2022 – 2042, të blera në dollarë. Vendimi erdhi pasi një bankë e madhe, emri i të cilës nuk është bërë publike, vendosi të mos pranojë transfertat bankare të urdhëruara Rusia për këtë qëllim.
Të Martën, Uashingtoni vendosi të ndalojë Rusinë të shlyejë borxhin sovran me rezervat që ka në Shtetet e Bashkuara, e po ashtu të ndalojë transaksionet për këtë qëllim.