Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e shtëpive në vendbanimet e okupuara të Bregut Perëndimor.
Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja kanë shprehur shqetësim të thellë në lidhje me vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e shtëpive në vendbanimet e okupuara të Bregut Perëndimor.
Në një deklaratë të përbashkët me shkrim të bërë nga 5 vendet e BE-së theksohet se zgjerimi i vendbanimeve të Izraelit përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.
Ky qëndrim i Izraelit rrezikon edhe më shumë vendosjen e një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme midis Izraelit dhe Palestinës dhe një zgjidhje me dy shtete, vijon deklarata.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimin e më shumë se 4.900 njësive të banimit në vendbanimet e Bregut Perëndimor. Në sfondin e zhvillimeve pozitive që rezultojnë nga marrëveshjet e normalizimit midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejnit, kjo që po bën Izraeli është një hap që do të japë efekt të kundërt”,- thuhet më tej në deklaratën e përbashkët të 5 vendeve më të mëdha të BE-së.
Në deklaratë gjithashtu nënvizohet se ky veprim i Izraelit minon edhe përpjekjet për ndërtimin e klimës së besimit midis palëve për të rifilluar dialogun me Palestinën.
“Prandaj ne bëjmë thirrje për t’u dhënë menjëherë fund ndërtimit të vendbanimeve në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor dhe boshatisjen e shkatërrimin e objekteve palestineze”, është apeli që i drejtojnë 5 shtetet evropiane Tel-Avitit zyrtar.
Deklarata kërkon zbatimin e plotë të rezolutës 2334 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në deklaratë nënvizohet se çdo ndryshim i çfarëdoshëm që do të bëhet në kufijtë e 4 qershorit 1967 do të njihet vetëm nëse një gjë e tille do të pranohet fillimisht nga palët.
“Planet për aneksimin e territoreve të okupuara palestineze duhet të ndërpriten njëherë e përgjithmonë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të mos ndërmarrin hapa të njëanshëm, por të angazhohen në një dialog serioz dhe negociata të drejtpërdrejta për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me statusin final”,- përfundon komunikata./TRT/