BE, thirrje për bisedime me Moskën për zhbllokimin e eksporteve të grurit të Ukrainës

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje të martën për bisedime me Moskën për zhbllokimin e eksporteve të grurit që janë bllokuar në Ukrainë si rezultat i një bllokade detare ruse.

Javën e kaluar Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, akuzoi Rusinë se po e përdor ushqimin si armë duke mbajtur furnizimet “peng” jo vetëm për ukrainasit, por edhe për miliona njerëz në mbarë botën. Moska e hedh poshtë këtë pretendim.

“Gjëja më e rëndësishme është të zhbllokojmë Detin e Zi. Kjo është një thirrje drejtuar Rusisë”, tha zonja von der Leyen në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, ndërsa merrte pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit.

Zonja Von der Leyen tha se kriza ushqimore po afrohej me shpejtësi dhe se duhet një lloj dialogu me Moskën për të zhbllokuar 20 milionë ton grurë të bllokuar në Ukrainë.

“Nuk mund të jetë në interesin e Rusisë që, për shkak të Rusisë, njerëzit të vdesin nga uria në botë,” tha ajo, duke shtuar se duhet gjetur një zgjidhje për të krijuar korridore ushqimore.

“Unë mendoj se së pari ne duhet të përpiqemi për dialog me Rusinë, për një marrëveshje të mundshme që gruri të dalë nga Ukraina,” tha shefja e Komisionit Evropian.

 

Rusia dhe Ukraina së bashku sigurojnë gati një të tretën e furnizimeve globale të dritharave dhe vajit të lulediellit. Ndërkohë, Rusia dhe Bjellorusia, e cila ka mbështetur atë që Moska e quan “operacioni special ushtarak” në Ukrainë, siguron më shumë se 40% të eksporteve globale të plehrave kimike me përmbajtje kaliumi, një lëndë ushqyese kryesore për të mbjellat.

Zonja Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të rrisë prodhimin e vet, duke e bërë më të lehtë për fermerët që të kenë një prodhim të dytë ose të rrisin prodhimin e grurit.

Në lidhje me financimin e rindërtimit të Ukrainës pas luftës, BE-ja po shqyrton përdorimin e fondeve të ngrira të bankës qendrore ruse dhe oligarkëve, tha zonja von der Leyen.

Shtetet baltike kanë bërë thirrje për konfiskimin e pronave ruse, përfshirë rezervat e bankës qendrore prej 300 miliardë dollarësh, por nuk është e qartë nëse kuadri ligjor i BE-së e lejon këtë.

Më 3 maj, Ukraina e vlerësoi koston e rindërtimit të vendit në 600 miliardë dollarë.

“Shkatërrimi i Ukrainës u bë nga lufta krejtësisht e pajustifikuar e Rusisë, dhe për këtë arsye, nëse e gjithë bota ndihmon për të rindërtuar Ukrainën, Rusia gjithashtu duhet të bëjë pjesën e saj,” tha shefja e Komisionit Evropian.

Zonja Von der Leyen nuk donte të komentonte se cilat kushte do të përbënin një bazë të mjaftueshme që Ukraina të pranonte një marrëveshje për përfundimin e luftës.

” Është Ukraina ajo që vendos për këtë,” tha ajo./VOA

Leave a Reply