Dhunë në kryeqytet: 10 policë të lënduar, shoqërohen 60 tifozë

Përballë furisë së tifozëve holandezë dhe atyre romanë, efektivët e policisë së Tiranës, ato të forcave Shqiponja dhe Ndërhyrjes së Shpejtë u përpoqën të ndalonin përplasjen mes tifozerive, e në të njëjtën kohë të mbanin nën kontroll situatën. Por kjo nuk kaloi pa dëmtime tek vetë punonjësit e rendit.

Dhuna shpërtheu fillimisht pranë stadiumit Air Albania. Mbi 200 tifozë holandezë ishin nisur drejt kësaj zone për t’u përplasur me tifozët romanë.

Më pas, tek ura në zonën e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, policia u përball me tifozët e Romës. Edhe aty pati dhunë.

Tek zona e 21 Dhjetorit, dhuna vijoi nga të dyja palët. Një grup me tifozë me shkopinj në duar, morën në këmbim të njëjtën gjë nga policia. Teksa largoheshin me vrap atyre iu hodh edhe gaz lotsjellës.

Shkopinj gurë, e sende të forta përdorën tifozët. Spray, ujë e gaz lotsjellës, e në raste më të vështira edhe shkopinjt e gomës, përdori policia.

Numri i tifozëve të shoqëruar deri më tani raportohet të jetë të paktën 60 persona. 48 janë janë italianë, 12 holandezë.

Gjithçka u normalizua, të paktën për momentin, pasi tifozët problematikë u futën nëpër autobusë për t’i përcjellë në vendet ku do të qëndrojnë.

Ditën e nesërme zhvillohet finalja e madhe e Conference League mes Romës dhe Feyernood dhe në kryeqytet pritet të zbresin me mijëra tifozë të tjerë.

Leave a Reply