Begaj në 25 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s: Përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka falënderuar NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndërhyrjen në Kosovë më 24 mars të  vitit 1999.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se NATO ndërhyri për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

“Sot ne përkujtojmë një ngjarje me rëndësi historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.  Ndërhyrja e NATO-s, e udhëhequr nga SHBA-ja, i dha të drejtë kauzës së lartë të popullit të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi”.

“Urtësia politike, largpamësia strategjike dhe vendosmëria e Aleancës për të mos qëndruar indiferente ndaj spastrimit etnik dhe dhunës jo vetëm e shpëtuan Kosovën, por krijuan një kornizë të re të sigurisë për të gjithë rajonin”.

“Në sajë të kësaj ndërhyrjeje, brenda pak kohe u mundësua pavarësimi dhe krijimi i Republikës së Kosovës, një histori suksesi e shtetndërtimit demokratik. Prania e NATO-s në Kosovë nëpërmjet trupave të KFOR-it vijon të luajë edhe sot një rol të rëndësishëm në sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë”, ka thënë Begaj.

Leave a Reply