Beleri zgjidhet eurodeputet, renditet i treti në listën e Mitsotakis

Në Parlamentin e ri Europian do të jetë edhe një eurodeputet shqiptar që do të përfaqësojë Greqinë. Ai është Fredi Beleri, i cili u kandidua nga Partia Demokracia e Re e kryeministrit grek, Qiriakos Mitsotakis.

Kur në vend ishin numëruar mbi 80 për qind të votave, Beleri renditej i treti, si më i votuari, në listën me 7 kandidat fitues të Demokracisë së Re, por me një diferencë të madhe votash në raport me kandidatët pasues.

Pavarësisht kësaj Beleri, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë, do ta ketë të pamundur ta ushtrojë mandatin pasi ai është i dënuar në Shqipëri me 2 vite burg për korrupsion zgjedhor.

Në zgjedhjet për Parlamentin Europian në Greqi, fitiese doli sërish Demokracia e Re, e cila siguroi 27.7 për qind të votave, pas saj me një diferencë të madhe u rendit Siriza me 15 për qind të votave dhe në vend të tret renditet Pasoku me 13 për qind të votave.

Greqia përfaqësohet me 21 deputetë në Parlamentin Europian dhe sipas rezultateve, 7 prej tyre do jenë nga Demokracia e Re, 4 nga Siriza, 3 nga Pasok, ndërsa 7 eurodeputetë të tjerë vijnë nga 5 parti të tjera më të vogla.

Leave a Reply