“Do ndërmarr një aksion politik brenda partisë”
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar nul vendimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.
“Me vendimin që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha komunikoi, është një vendim i cili në rrafshin statutor është nul”.
Në një intervistë për emisionin “Opinion”, Berisha tha se me këtë vendim Basha cenoi sovranitetin e Partisë Demokratike dhe ndaj së pari duhet të rimendonte dorëheqjen e tij.
“Zoti Basha ka zgjedhur shkatërrimin e PD-së nga sovraniteti i saj”.
Berisha zbuloi së këtë qëndrim mbajti edhe me Lulzim Bashën në një telefonatë 30 minuta para se kreu i PD-së të komunikonte vendimin.
“Basha më mori në tel gjysmë ore para se të bënte komunikimin në media. Unë e kuptoj që ka qenë në presion, por ka vendime që njeriu nuk mund t’i marrë kurrë. Përpara kësaj Berisha duhet të konsideronte dorëheqjen e tij. Nëse një force politike ia caktojnë të tjerët idetë dhe deputetët ajo forcë politike duhet të shkrihet.
Berisha tha se Basha ishte kërcënuar me sanksione, por me vendimin që mori asgjësoi PD.
“Nuk dorëzohet sovraniteti zotëri. Kur dorëzohet sovraniteti asgjësohet forca politike. Me vendimin që mori i dha një shkelm pluralizmit politik në Shqipëri. E shndërroi në pluralizëm fantazmë.
Tashmë Berisha thotë se do të nisë një aksion politik për rikthimin e sovranitetit të PD.
“Do bëj gjithçka për vendosjen e sovranitetit të PD në ato parime që i shkelmoi sot Lulzim Basha dhe pa të cilat është një fasadë opozitë. Do ndërmarr aksion për të rivendosur sovranitetin e PD”.