Berisha: Basha, gënjeshtar i rrethuar në bunker

“I përfshirë te “5 Maji” dhe Porti i Durrësit”

Lulzim Basha e akuzoi se i dorëzoi Partinë Demokratike Ilir Metës, por ish-Kryeministri Berisha iu kundërpërgjigj duke e cilësuar gënjeshtar.

“A mund t’i përgjigjesh njeriut që ju servir ju jo 7×7=42 po 1958 për 5004, një njeriu që jeton i rrethuar si në bunker”.

Si kandidatë përfaqësues të demokratëve në zgjedhjet e pjesshme vendore tha se vendimin e mori anëtarësia, duke ironizuar të zgjedhurit e Lulzim Bashës në garën e 6 Marsit.

“Përgjigje personale për këta nuk kam, kam komentin e përgjithshëm që ata janë kandidatë të Lul Bravës dhe s’kanë asgjë me anëtarësinë. Anëtarët e Pd kudo që janë kanë kandidatët e propozuar prej tyre më të shkëlqyer dhe kandidatët e fitores të paraqitur para jush 3 ditë më pare”.

Sërish doli në mbrojtje të banorëve të “5 Majit”, të cilët edhe këtë të enjte protestuan përpara Parlamentit, duke e cilësuar mashtrim dokumentin që tha se po u serviret për t’u nënshkruar.

“Megjithëse kanë rritur katet nga 7 në 35, kjo sërish nuk i lejon qeveritarët të bëjnë marrëveshje me banorët, por i mashtron ata duke u kërkuar një vetëdeklarim të noterizuar”.

Tonet i përshkallëzoi edhe nga foltorja e Kuvendit, duke akuzuar Kryeministrin Rama dhe Lulzim Bashën si të përfshirë në aferën e ndërtimit të kullave në zonën e “5 Majit”.

“Kjo është një vjedhje e pangopur. Prapë nuk ngopen së vjedhuri ndaj qytetarëve. Ky është një akt në të cilin oligarkë të kreut të Meduzës dhe Lulzim bravës, pengut të tij, kanë bashkuar ryshfetin, vjedhjen”.

Në kundërpërgjigje, zv/Kryeministri tha se banorët do të dëmshpërblehen të gjithë për çdo metër katror, pavarësisht nëse shtëpitë e tyre janë të legalizuara apo jo.

Nëse dikush ka sot tek 5 Maji një shtëpi, ndërtesë ose dyqan, 200 metra katrorë, do të marrë sërish 200 metra katrorë. Nuk ka rëndësi nëse është ose jo i legalizuar”, u shpreh Arben Ahmetaj.

Berisha s’u ndal në akuza ku përfshiu jo vetëm Kryeministrin Rama, por edhe  kreun e opozitës Lulzim Basha, që  sipas tij janë të përfshirë në projektin e Portit të Durrësit, duke e cilësuar atë si kapitullin më të zi korruptiv në Europë.

“A e dini kush e kontrollon Portin e Durrësit? Nallbani i Xibrakës, i Hakmarrjes për Drejtësi, i Edvin Drogës e Lulzim Pengut, që e ka gjysmë baxhanak të dashur. Nuk është rastësi se nark-kokaina kalohet te Porti i Durrësit. E morët vesh se Emaari u zhduk, por kanë dalë disa kompani shqiptare offshore me në krye kreun e Meduzës dhe në bashkëpunim të ngushtë me Lul bravën që do investojnë aty, do lajnë aty shuma përrallore, 2 miliardë Euro në 800 mijë metër katrorë”.

Për këto akuza replika i erdhi nga ministria e Parlamentit Elisa Spiropali.

“Ju i bini derës tonë që të dëgjojë brava juaj, por as dera jonë nuk ka ndërmend të tundet dhe as brava e tyre nuk ka ndërmend të shembet, doli pak më e fortë nga sa e kishit menduar. Ej moj kasolle ku na mblodhe është shprehja që ju përshtatet kur vini këtu dhe i përgjigjeni njëri-tjetrit”. 

Sali Berisha s’u ndal me akuzat ndaj Kryeministrit Rama edhe kur foli për letrën e ambasadës ruse drejtuar qeverisë, duke i kërkuar Kuvendit që të miratojë një rezolutë, përmes së cilës të shprehë solidaritetin me Ukrainën.

“Parlamenti duhet të miratojë me urgjencë një rezolutë ku të shprehë solidaritetin e plotë me Ukrainën. Qeveria dhe Parlamenti është shantazhuar nga ambasada ruse me një letër kërcënuese. Nuk duhet të heshtim pasi është kërcënuar vendi. Kërcënimi është ndaj Shqipërisë”.

Sipas ish-Kryeministrit Berisha, Parlamenti duhet shkrirë pasi nuk përfaqëson më interesat e shqiptarëve.

Leave a Reply