Berisha: Korrupsioni dhe krimi, shkaktarë të largimit


“Porti i Durrësit, më i madhi i kokainës në Europë”

Nga selia blu, Sali Berisha e akuzoi sërish Kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për largimin e shqiptarëve drejt brigjeve të Britanisë së Madhe.

Sali Berisha: Autor kryesor i kësaj drame, theksoj edhe njëherë, është Edi Rama, janë lidhjet e tij të tmerrshme me korrupsionin, janë vjedhjet e tij nga afera qindra milionëshe, janë rrëmbimi i votës, çka i bën këta qytetarë shqiptarë të pashpresë në vendin e tyre, janë lidhjet e forta me krimin dhe drogën personalisht të Edi Ramës, Olsi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë të vendit.

Sipas Berishës, Kryeministri po e përdor çështjen e emigrantëve për politikë të brendshme.

Sali Berisha: Edi Rama është angazhuar në betejë politike në Britani, i këshilluar nga këshilltarë që duan ta shndërrojnë çështjen e brendshme për pikë politike, Edi Rama kalon nga një konferencë në tjetrën, duke përdorur gjuhën ordinere, që tregon se nuk ka minimumin e edukatës njerëzore. Gjuhë që bazohet në urrejtje. Për interesat e tij është i gatshëm që të përdorë çdo fjalë dhe të mbajë çdo qëndrim.

Edi Ramën e akuzoi për lidhje të forta me eksponetë të krimit e drogës, duke sjellë në vëmendje 33.4 kg kokainë të kapur pak ditë më parë në Portin e Durrësit.

Sali Berisha: Zbarkuan në Durrës tonelata të pafundme kokaine, ku shkuan ato? Drejt Evropës jo drejt Hënës. në port të gjithë autoritetet janë të përfshira në trafikun e kokainës. Porti është shndërruar në portin më të madh të kokainës në Evropë. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se shkak madhor i të gjitha këtyre është Rama dhe partia e tij.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike , Berisha garantoi zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe bosëve të tyre që sipas tij ndodhen në zyrat e qeveritarëve.

Leave a Reply