Për ish-Kryeministrin Berisha mohimi i genocidit serb nga parlamenti i Shqipërisë është akt armiqësor ndaj cdo shqiptari.
“Mohimi nga ana e ‘Zografi bis’ të gjenocidit serb përbën një akt flagrant armiqësor ndaj kombit shqiptar. Akti i mohimit me urdhër të Ramës në dokumentet e Parlamentit shqiptar të genocidit serb, është akt armiqësor ndaj çdo shqiptari dhe njerëzimit, që nuk njeh falje ndaj dënimit e krimeve kundër tij dhe genocidin ndaj një kombi mbi baza raciste. Nëse vendosim të flemë mbi varre, paqe nuk do të ketë kurrë. Nëse mohojmë genocidet ciklike të serbëve ndaj shqiptarëve, ne nuk meritojmë të rrojmë”.
I ashpër në akuza ishte edhe kur foli për taksën e rrugës së kombit.
“Trau në Rrugën e Kombit është një akt armiqësor ndaj veriut dhe Kosovës. Në 2013 falë asaj rruge qytetarët e Kosovës kontribuuan në 320 mln Euro në GDP. Ky njeri që nuk ka investuar një qindarkë të vetme vuri taksën në një akt faqeziu të vërtetë”.
Këto deklarata Berisha i dha pas një takimi që zhvilloi me ushtruesen e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e fundit të vizitës së saj zyrtare në Tiranë.