Berisha: Përmbytjet ndodhën nga dora e robit

“Përmbytja ishte e parandalueshme”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha udhëtoi drejt zonave të përmbytura të zonës së Nënshkodrës për të parë nga afër gjendjen e krijuar.

Pas një ndalese në fshatin Kuç, Berisha shigjetoi qeverinë pasi sipas tij situata e reshjeve ishte krejtësisht e menaxhueshme dhe e ndalueshme, nëse do prodhohej dhe nuk do të blihej energji do ulej niveli i ujit në hidrocentrale.

Sali Berisha: Një njoftim jashtëzakonisht serioz ka bërë stacioni meteorologjik italian, që në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytjet në alpet e veriut. Por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për Edi Ramën dhe Belinda Ballukun se ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur. Në një kohë kur energjia e kontraktuar 10 milionë euro mund të prodhohej pa asnjë lloj kufizimi, pasoje, në kaskadën e Drinit.

Më pas, në një konferencë për shtyp nga qyteti i Shkodrës, ai akuzoi qeverinë se nëpërmjet KESH-it nuk njoftoi paraprakisht Bashkinë e Shkodrës për hapjen e portave të hidrocentraleve dhe tuneleve.

“Kjo fatkeqësi natyrore sigurisht nuk është e rrallë, por krejt e veçantë kësaj here, është gjithçka  jo dora e Zotit, por dora e robit hajdut. E them unë këtë, sepse kjo u krijua kryekëput nga keqadministrimi i kaskadës absolutisht të diktuar nga vjedhja qeveritare. Sot, Edi Rama fajin e gjen tek mediat dhe opozita dhe opozita për katastrofën që krijoi vetë”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se qeveria nuk ka prodhuar energji, por ka blerë energji me 226 euro megavatin në bursë.  Ndërsa nuk nguroi të replikonte në distancë ndaj akuzave të kryeministrit Edi Rama.

“Përgjigja ime është, ai në çdo akt që firmos, siç tha vetë, fap, fap, fap, e bam, bam, bam, vetëm vjedh. Kjo është përgjigja ime. Ai shqiptarëve u ka paraqitur vetëm një argument që thotë; si mund të vjedhë një burrë 2 metra. Nuk ka shqiptar që e pranon një argument të tillë. Janë aferat njëra pas tjetrës që e nxjerrin Edi Ramën, hajdutin më të madh të kombit shqiptar që kur është themeluar shteti e deri më sot. Nëse Edi Rama paska probleme të bëhet burrë dhe ti çojë në prokurori, në skapin e tij. A e kontrollon ai skapin fund e krye. Por nuk ka asgjë nga ato që thotë. Vetë është i zhytur gjer në vesh”, theksoi Berisha.

Berisha deklaroi se ka ligj për menaxhimin e kaskadës, që nuk lejon zbrazjen e kaskadës në 1 Shtator dhe tha se qeveria nuk ka zbatuar një sërë rregullash te tjera qe sipas tij do ta kishin shmangur përmbytjen.

Leave a Reply