Berisha: Qeveria dëshiron largimin e të rinjve

“Kërkon të zbehë protestën kundër qeverisë”

Sali Berisha është i bindur se shumica socialiste i gëzohet shpopullimit, pasi në llogaritë e tyre shqiptarët që largohen janë votat kundër tyre.

“Për këtë qeveri, largimi i të rinjve është një lajm i mirë, sepse dobësohet fuqia protestuese dhe votat kundër saj. Për vendin dhe kombin, kjo është absolutisht një katastrofë. Dy gjëra rrënojnë më shumë se tjetër të ardhmen: mungesa e rinisë. E dyta, borxhi. Edhe borxhi është një barrë e tmerrshme. Kjo qeveri, të dyja po i kryen në mënyrën më pasiononte”.

Në një takim të organizuar nga Departamenti i Ekselencës dhe Brain&Gain në PD, ku morën pjesë fizikisht, por dhe nëpërmjet Zoom-it dhe të rinj që studiojnë jashtë vendit, kryetari i demokratëve premton se për t’i mbajtur ata brenda vendit do të përdoren politika stimuluese. Disa prej tyre ai thotë se dhanë suksese gjatë qeverisjes 2005-2013.

“Ne do mbështesim shumë përpjekjet tuaja dhe nesër në pushtet ajo do materializohet me sukses të plotë. Sepse investimi në elitën e kombit është investimi më cilësor dhe më i rëndësishëm për të ardhmen e tij”.

E akuzon pasardhësin e tij, kryeministrin Rama si kundërshtarin më të ashpër të votës së emigrantëve. Berisha premton se PD do të shtyjë përpara që e drejta e tyre për të votuar të bëhet realitet, duke kërkuar që dhe vetë ky komunitet të vazhdojë përpjekjet e tij.

Ka një shkak kryesor pse nuk votojnë, sepse Edi Rama nuk do që të votojnë. Në vitin 2013 unë i dërgova ligjin dhe ai e refuzoi ligjin duke thënë se nuk marr pjesë në zgjedhje nëse voton emigracioni dhe diaspora. Tani është koha që të bashkojmë të gjithë forcat që emigracioni dhe diaspora të votojnë. Ne po diskutojmë se si të bëjmë Shqipëria të përfitojë nga ekselencat e saj kudo që janë. Por kjo i shëmbëllen asaj përpjekje që si të afrojmë njerëz që janë shqiptarë, por jo shqiptarë. Se nuk lejohen të votojnë”.

Kryedemokrati kërkon që të bashkëpunohet me kandidatët demokratët të dalë nga primaret duke iu dërguar atyre çdo ide dhe alternativë që vlen për ta bërë pjesë të programit të tyre elektoral.

Leave a Reply