Berisha: Rama tejkaloi vijën e kuqe me zyrtarin e FBI

“Të japë dorëheqjen, e ka vendin në burg”

Nga mbledhja e grupit parlamentar të demokratëve, Sali Berisha i kërkoi kryeministrit Rama të shkojë si i penduar përpara drejtësisë, lidhur me hetimet e nisura në SHBA ndaj ish-drejtorit të Kundërzbulimit në FBI, ku sipas tij kreu i qeverisë ka përdorur mjete të paligjshme për të korruptuar Charles McGonigal.

“Komisioni Hetimor Parlamentar është emergjencë. Sikundër Edi Rama ka vetëm një alternativë, të shndërrohet në “pentito”, në të penduarin e drejtësisë dhe të kontribuojë në zbardhjen e të gjithë kësaj afere që do të mbetet një njollë e tmerrshme e zezë në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve.”

Akuzat për kryeministrin tha se i mbështet mbi provat që institucionet e drejtësisë amerikane kanë gjetur për McGonigal, në të cilat sipas Berishës rezultojnë të përfshirë kryeministri Rama dhe dy bashkëpunëtorët e tij, duke përdorur paratë për lobim rus, si dhe kundër opozitës shqiptare në SHBA.

“16 faqe ja ku janë, fillojnë dhe mbarojnë me personin A, Agron Nezën, ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit dhe të SHISH. Me personin B, Dorjan Duçkën, një nga mafiozët më kryesor dhe me vetë kryeministrin, i cili nga zyra e tij i ngarkon detyra McGonigal, për veprime të zeza ndaj opozitës shqiptare”.

Udhëtimet e dyshimta që tha se McGonigal ka bërë në Shqipëri provojnë se Kryeministri Rama është po aq sa ish-zyrtari i lartë i FBI-së bashkautor në atë që e cilësoi krim.

“Edi Rama është bashkautor në këtë krim të shëmtuar. McGonigal ka bërë 6 udhëtime në Shqipëri. Ka bërë takime jo vetëm më Ramën, me Ardi Veliun, me shefin e Shërbimeve, me radhë e me radhë, me kupolën e policisë, etj. Thuhet se me të gjitha i ka bërë me pagesa, që të gjitha udhëtime të fshehta”.

Akuzat në adresë të kryeministrit për këtë çështje Berisha i vijoi nga një tjetër takim, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes elektorale me aleaten e tij PBDNJ-në e Vangjel Dules.

“Është tejkaluar çdo vijë e kuqe. Rama duhet të ikë, të japë dorëheqjen sa më parë, përndryshe shqiptarët do ta krrejnë”.

Dënimi sipas tij për kryeministrin duhet të jetë i njëjtë me atë të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së.

“McGonigal mund të shkojë deri në 80 vjet dënimi, absolutisht asnjë vit më pak nuk meriton Edi Rama se ai”.

Tha se njeriu më i afërt i Putinit del në Shqipëri investitor strategjik i kryeministrit, për të cilin akuzoi Damian Gjiknurin se ka firmosur për dhënien e koncensioneve.

“Ai Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, ai është një mafioz i cili i ka dhënë me koncesion Oleg Vladimiroviç Delipaskës, hidrocentralet e Shushicës dhe favore të tjera”.

Sipas Berishës të gjitha këto lidhje provojnë se Kryeministri Rama është agjent influent i Putinit.

Leave a Reply