“Në qeveri ministra që kanë porositur vrasje”
Për Sali Berishën rendi dhe siguria janë në duart e krimit, në krye të të cilit ai tha se qëndron kryeministri dhe ministrat e tij të qeverisë.
“Ka ministra që janë marrë me benefite nga trafiku i drogës. Vetë kryeministri është një padrino që mban koordinator për veprimtarinë e bandave, është shndërruar në kryebashkëpunëtorin e organizatave kriminale më të fuqishme shqiptare, të cilave po u krijon mundësinë e artë të investimit të miliarda eurove të tyre në Shqipëri, në këto kulla”, tha Berisha.
Pas në akuza nuk la edhe drejtorin e Policisë së Shtetit.
“Një bashkëpunëtor i bandave, një i emëruar i tyre. Ky drejtor Matriksi, edhe dje I arrestuan një bashkëpunëtor të tij trafikant dhe u bë reprezalje tek oficerët e policisë që e arrestuan atë për lirimin e tij”, tha Berisha.
Premtoi zero tolerancë ndaj krimit e bandave dhe tha se pas uljes në karrigen e kryeministrit pastrimin e Shqipërisë do e nisë nga qeveria e Edi Ramës.
“Beteja jonë do jetë me një motiv: zero tolerancë. Do nisë me ministrat, bashkëpunëtorë të kriminelëve, mburojë e kriminelëve, sepse janë këta ministra, që u vënë atyre në dispozicion gjykatësit, prokurorët, drejtorët e policisë. Kudo që të jenë, ta kenë të qarta, në Dubai apo Uganda, në Aruba apo Afrikë të Jugut, ata do gjenden, do arrestohen dhe do vihen para drejtësisë shqiptare”, tha Berisha.
Pas largimit të punonjësve të inkriminuar nga radhët e efektivëve të policisë, Berisha premtoi edhe rritjen e pagave.
“Rrogat do rriten progresivisht të të gjithë punonjësve të policisë, veçanërisht të niveleve inspektorit, të komisarit, në mënyrë që të ngushtojmë hendekun që është krijuar edhe në polici mes rrogave të larta dhe rrogave të ulëta”, tha Berisha.
Për kryedemokratin shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për integrimin në Bashkimin Europian.