“Rama po ndërhyn tek besimi mysliman për interesa mafioze”
Idenë e Edi Ramës për krijimin e një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi, Sali Berisha jo vetëm nuk e mirëpret, por e vlerëson si një precedent të rrezikshëm që çon në ndasi fetare. Pavarësisht se njeh meritat shtetformuese të bektashinjve, por ai mendon se Kryegjyshata është e mjaftueshme si seli e shenjtë për këtë komunitet.
“Bektashinjtë nuk janë një urdhër i veçantë, por janë sekt i besimit mysliman. Bektashinjtë meritojnë kryegjyshatën e botës se kanë të fituar, por kjo nuk nënkupton kurrë shtet islamik. Ai synoi të luajë letrën e fundit të armiqësisë fetare”, tha Berisha.
Sipas kryedemokratit ideja e shtetit bektashi ka lindur në Beograd.
“E bëri këtë i shtyrë siç thuhet rëndomë nga Beogradi dhe për interesa të Beogradit të mbjellësh farën e ndasive fetare”, tha Berisha.
Në bashkëbisedimin virtual me gazetarët, Berisha u pyet dhe për negociatat për krijimin e koalicionit opozitar me partinë e Ilir Metës që sipas tij ende nuk janë mbyllur.
Por a do i japë Berisha një vend të sigurtë në listat e PD-së aleatit tij nëse ai vendos mos të dalë me logon e Partisë së Lirisë?
“Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim. Është i konsoliduar”, tha Berisha.
Berisha thotë se vendimi për koalicion ka ende kohë, gjate vizitës në selinë e PD ditën e martë është folur për protestat që do të nisin së shpejti.