Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin

Besimtarët falin Namazin. Spahiu, apel të rinjve

Me mijëra ishin besimtarët myslimanë që mbushën këtë të shtunë sheshin “Skënderbej” për të falur namazin e Kurban Bajramit.  Kreu i Komunitetit Mysliman Bujar Spahiu, ndau një mesazh për të rinjtë shqiptarë që mos të largohen nga vendi.

I njëjti ritual për faljen e Kurban Bajramit vijoi edhe në rrethet e vendit. Sheshi pranë xhamisë “Ebu Bekër” në Shkodër u tejmbush nga besimtarët myslimanë. Falja e namazit u drejtua nga zv/myftiu i Shkodrës, Arben Halluni që bëri thirrje për më shumë drejtësi sociale.

Me qindra ishin besimtarët në Durrës që iu drejtuan xhamisë së qytetit për ritin e faljes, duke shkëmbyer mes tyre mesazhe vëllazërore. Besimtarët myslimanë në Elbasan e festuan Kurban Bajramin në xhaminë e rindërtuar të Ballijes, që u shemb përpara 50 vitesh gjatë diktaturës komuniste.

Sheshi qendror i Lushnjes priti besimtarët që uruan më shumë mbarësi dhe tolerancë për njëri-tjetrin. Në Dibër falja e Namazit te Kurban Bajramit u bë në Pallatin e Sportit të Peshkopisë. Dhjetëra besimtarë falen namazin edhe në xhaminë e Lezhës, duke u lutur për më shumë paqe, shëndet dhe harmoni.

Leave a Reply