A ka qenë BFI ndonjëherë “politike”? A ka zhvilluar politikë! Po! Politika institucionale e BFI-së ka qenë e fuqishme dhe bazohej në tri shtylla: në pavarësi të plotë, në avansimin e jetës fetare islame dhe në kthimin deri në milimetrin e fundit të vakëfit të nacionalizuar dhe të uzurpuar. Sot, përmes partizimit të BFI-së, kemi një Institucion shtetëror, të depersonalizuar dhe pa identitetin e vet autonom
Shkruan Abaz Islami
Na ishte dikur një BFI, që ishte pararojë e dinjitetit dhe të integritetit të hoxhallarëve, sepse, ishte Institucion i tyre, përmes të cilit realizonin obligime, detyra, të drejta personale e kolektive si dhe gjithnjë ndjeheshin të mbrojtur e të angazhuar për zhvillimin e jetës fetare islame.
Po! Na ishte dikur një BFI e hoxhallarëve me dinjitet!
Po sot? Nuk kemi BFI? Sot, nuk kemi një Institucion reprezentativ të hoxhallarëve? Jo! Fatkeqësisht, jo! Sot kemi një BFI të partizuar, që e zhvillon politikën e “Partisë Nanë”, me një “reis” të instaluar nga pushteti maqedonas të cilin e durojnë “hoxhallarët” që “druajnë për bukën e gojës”! Sot kemi një BFI të partizuar dhe me rrënjë qindra kilometërshe të pushtetit maqedonas, i cili, tallet me të gjithë myslimanët dhe, në veçanti me hoxhallarët, duke ua instaluar një “reis” i cili pa fije kompleksi, çdo ditë të lume, po dëshmon se është vegël e përshtatshme në duart e antiislamistëve dhe antimyslimanëve!
Nëse përpiqemi sinqerisht të bëjmë një rekapitulim të përpjekjeve të organeve të ndryshme shetërore të fusin duart në BFI dhe të zhvillojnë politika që do ta rehatonin pushtetin, atëherë do të konstatojmë se nuk ishin të pakta ato përpjekje, ndërkohë që do të krenoheshim dhe do të habiteshim se si ia doli BFI-ja që t’u rezistojë dhe suksesshëm t’i refuzojë të gjitha ato përpjekje, kryesisht, grabitqare.
Nga viti i parë i demokratizimit të shoqërisë sonë e deri më vitin 2015 kur BFI-ja ngeli pa rojtarin e paepur të dinjitetit të këtij Institucioni, pa sekretarin historik të vetin, Afrim ef. Taihrin, mund të listojmë një sërë përpjekjesh të pushteteve të ndryshëm, të partive të dryshme e të shërbimeve intelegjente për të vënë këmbë mbi BFI-në! Të gjithë dështuan, sepse hasën në përkushtimin e pathyeshëm të Afrim ef. Taihirit me shokë e bashkëpunëtorë të shumtë që nuk u tunduan nga asgjë dhe nuk tradhëtuan për asgjë. Sepse, gëja e vetme që i interesonte Afrim ef. Taihrit ishte ruajtja e paprekshmërisë, ruajtja prej njollave partiake dhe ruajtja nga ndikimet politike që askund nuk përputheshin me politikat autonome të Institucionit: zhvillimin e jetës fetare islame për të gjithë myslimanët e vendit, të cilët, pa dyshim e me të drejtë, secili për vete aderonte në ndojë parti politike.
Në kohën e Afrim Tahirit, në BFI nuk kishte vend për politikat ditore të askujt, nuk kishte vend për ndikimet partiake, nuk kishte vend për shantazhime, për hajni, për tradhëti, për intriga. Në kohën e Afrim Tahirit në qendër vëmendje ishte personaliteti i hoxhës, për të cilin ëndërronte që një ditë të shembëllenin në qytarë me personalitet e dinjitet të lakmueshëm prej të gjithëve.
Natyrisht, e kishte edhe përkrahjen dhe besimin e ish-reisul ulemasë së BFI-së, i cili, çuditërisht, për shkaqe të pashpjegueshme, vendosi që, në maj të vitit 2015, të vazhdojë drejtimin e BFI-së pa ndihmën, pa sinqeritetin dhe pa vizionin e Afrim ef. Tahirit.
Le t’i sjellim këtu dy-tre elementë që flasin për profesionalizmin dhe për përkushtimin e Afrim ef. Tahirit për një BFI autonome në atë periudhë derisa ishte sekretar gjeneral i saj! Përpjekjeve të Ali Ahmetit për t’ia vënë dyzgjinat BFI-së morën fund sidomos në debatin e Afrim Tahirit që e pati në përballje me ish- zv/kryeministrin, z. Musa Xhaferi, në studion e Alsat M!
Janë disa dëshmitarë që mund të flasin edhe sot për qëndrimin kryengritës të Afrim ef. Tahirit në takimin që një delegacion i BFI-së e pati në kabinetin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, rreth denacionalizimit të vakëfit! Në këtë takim, me qëllim që delegacionin e BFI-së ta trullosë me goditje të papastra, Nikolla Gruevski u ndërsy që t’ua bëjë me dije se BFI-ja për shumë prona do të duhet të dëshmojë me tapi, të cilat nuk i ka! Reagimi i zjarrtë i Afrim Tahirit ishte: “z. kryeministër, po ua bëj me dije se mud të mos ketë tapi vetëm Shteti i Maqedonisë, kurse BFI-ja i ka të gjitha tapitë për çdo pronë të saj, i ka faktet dhe dëshmitë”! Lidhur me këto, është shkruar edhe në mediat e vendit.
Nikolla Gruevski po ashtu, në një rast, kishte thënë që nuk i kujtohet se ka xhami në Prilep, kurse reagimi i Afrim Tahirit ishte: “Bëni mirë që këtë kalama ta kapni për dore dhe ta çoni në Prilep që të njohtohet me xhamitë e atjeshme. Dhe, mbani fort për dore se mund t’ju humbë në qytet”!
Më vitin 2007, ishte Afrim Tahiri që ua kumtoi organizatorëve, gjegjësisht, Ministrisë së Kulturës se, BFI do ta bojkotojë takimin e liderëve fetarë botërorë nëse nuk sigurohet përkthim në gjuhën shqipe dhe nga gjuha shqipe! Kur iu garantua kjo kërkesë kombëtare Afrim Taihrit, qeveritarët u përpoqën që të zhvillojnë një lojë tjetër që do ta diskriminonte edhe gjuhën shqipe edhe fenë islame në vend. Organizatorët teknik dhe politik ishin dakorduar që të pranishmëve, në emër të shumë bashkësive fetare në vend, t’iu drejtohej kryepari i KOM-it! Sërish do të shpërthejë keq Afrim Taihri duke u thënë se, nuk ka prift nëne që mund të flasë në emër të Bashkësisë Fetare Islame. Demnstrativisht do ta braktisë mbledhjen Afrim Taihri. Pasi kthehet dhe deri sa po i raportonte ish-reisit, në telefon ish-reisit i paraqitet shefi i kabinetit të Gruevskit, z. Protuger. Natyrisht, ish-reisi do ta injorojë telefonatën dhe ishte në pritje të telefonatës nga vetë Gruevski. Nuk do të vonojë shumë dhe do t’i paraqitet Nikolla Gruevski, i cili ia kumton lajmin se në saje të këmbëngultësisë dhe reagimeve, u soll vendimi që të pranishmëve nga gjithë bota t’ju drejtohen me nga tre minuta pese liderët fetarë të bashkësive fetare kushtetutare.
Më vitin 2010, BFI vendosi për pjesëmarrje në Konferencën e dytë, vetëm pasi paraprakisht u firmos Marreveshje me Qeverinë për fillimin e punëve për rindërtimin e Çarshi Xhamisë në Prilep. Rol kyq në këtë ka pasur edhe Ambasada e SHBA në Shkup.
Më vitin 2013 sërish BFI-ja e bojkotoi këtë event jetik për Shtetin e Maqedonisë! Nuk ka dialog ndërkonfesional derisa në Maqedoni Islami hasë në baltosje, në shkatërrim e në djegie të xhamie nga pushteti i atëhershëm. Këtë qëndrim e arsyetoi mjaft guximshëm Afrim Taihri, duke nënvizuar edhe një herë fuqishëm se, me BFI-në nuk guxon as të mendojë shteti që të tallet ndonjëherë por, githnjë duhet të jetë edhe në shërbim të BFI-së.
Kjo ka qenë politika e BFI-së atëbotë, shteti, organet shtetërore, pushteti e partitë, që të gjithë të kuptojnë se, janë pararojë e mirëqenies, paqes dhe sigurisë së qytetarëve, të sovranit por edhe të institucioneve shpirtërore të këtij sovrani që funksionojnë brenda kufijve të shtetit të përbashkët.
Po sot?! Sot, çfarë BFI-je kanë myslimanët?
Një BFI të partizuar, me eksponantë të shërbimeve sekrete, që funksionon si “sahati hoxhës”! Kur t’i urdhërojnë të mblidhen në Gostivar dhe të kontribuojnë që BFI-në ta lënë në duart e pushetit maqedonas, të gjithë këta eksponante tubohen, e kryejnë detyrën partiake dhe, shndërrohen edhe më fuqishëm në element shantazhimi. Këtu merr fund gjithçka! Këtu merr fund edhe BFI-ja! Hoxhallarët duhet t’i zbatojnë vendimet e shërbimeve sekrete që sillen brenda mureve të BFI-së si objekt! Shumë rëndë, shumë trishtim, shumë turp. O, si do të dilet para Allahut Fuqiplotë dhe para Muhamedit a.s. Mjer ata që, duke i pasur mësimet e Pejgamberit tonë, shkjajnë dhe bëhen dishepuj të Dragoviqit, Temellkos, Mijallkovit…