Kërkon negociata me Rusinë me përfshirjen e aleateve të NATO-s
Presidenti amerikan Joe Biden kërkon të përfshijë edhe aleatët kryesorë të NATO-s për të bindur Rusinë të shmangë një sulm të mundshëm ndaj Ukrainës. Mediat amerikane shkruajnë se Biden është angazhuar personalisht për uljen e tensioneve dhe po përgatit një raund negociatash me Moskën, ku të pranishëm të jenë edhe liderë të vendeve aleate.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë është kundër përjashtimit të Ukrainës nga këto negociata. Për këtë siguroi edhe presidentin e Ukrainës, Volodimir Zhelenski në bisedën telefonike që patën të Enjten në telefon. Presidenti rus Vladimir Putin kërkon nënshkrimin e një pakti me Shtetet e Bashkuara që të garantojë se kërkesa e Ukrainës për anëtarësim në NATO nuk do të pranohet. Por në telefonatën me Zhelenskin, Biden la të kuptohet se Rusia nuk mund të përcaktojë politikën e jashtme të Ukrainës dhe se anëtarësimi në NATO varet vetëm nga Kievi.
Më herët, Biden hodhi poshtë lajmet e qarkulluara në media se Uashingtoni do t’i kërkojë Ukrainës, t’u japë autonomi rajoneve lindore separatiste, për të nxitur Rusinë të ç’tensionojë situatën. Kievi thotë se ushtria ruse mund të godasë Ukrainën në Janar të vitit të ardhshëm, teksa ka stacionuar në kufi 95 mijë trupa.