Lavrov: Ekziston mundësia për një zgjidhje diplomatike
Pas një bisede telefonike 40-minutëshe mes presidentit amerikan Joe Biden dhe kryeministrit britanik Boris Jonhson, dy liderët thanë se nuk kanë humbur ende çdo shpresë për zgjidhjen e krizës në Ukrainë në mënyrë diplomatike. Biden dhe Johnson ranë dakord se zgjidhja përmes diplomacisë mund të vijë nëse Rusia tërhiqet nga kërcënimet e saj ndaj Ukrainës.
Tentativat për zgjidhjen e krizës në mënyrë diplomatike po i bën edhe Gjermania. Kancelari Gjerman Olaf Sholz mbërriti në Kiev ku u takua me presidentin Ukrainas Volodimir Zelenski. Pas takimit shefi i qeverisë gjermane tha se u fol mbi sanksionet dhe masat parandaluese duke shtuar se Gjermania dhe aleatët perëndimorë janë të përgatitur për dialog serioz me Rusinë.
“Presim hapa konkretë nga Rusia për të shmangur konfliktin. Për Gjermaninë është e qartë se agresioni i mëtejshëm ushtarak kundër Ukrainës do të kishte pasoja të rënda politike, ekonomike dhe gjeostrategjike për Rusinë”.
Sholz do të udhëtojë të martën në Moskë për t’u takuar edhe me presidentin rus.
Nga ana tjetër kryediplomati rus Sergei Lavrov dha shenja të çtensionimit të situatës duke i shprehur Presidentit Putin se ekziston një mundësi për zgjidhjen e krizës në rrugë diplomatike nëpërmjet dialogut. Por ajo që ka acaruar Moskën është deklarata e fundit e ministrit të Jashtëm ukrainas se Kievi nuk heq dorë nga anëtarësimi në NATO. Nga Kievi vijon largimi i diplomatëve perëndimorë. Ambasada amerikane ka zhvendosur stafin e saj në qytetin e Lviv.