Biden: Katastrofë për Rusinë nëse pushton Ukrainën, Putin i di pasojat

Veprimet e fundit të Rusisë në kufirin me Ukrainën kanë shtuar dyshimet dhe frikën tek SHBA se do të ketë një sulm ushtarak. Gjatë fjalimit në 1-vjetorin e marrjes së detyrës, Presidenti Joe Biden parashikoi pikërisht këtë, duke paralajmëruar fort Moskën dhe Vladimir Putinin se do ta paguante shtrenjtë një pushtim të plotë të Ukrainës, duke nënkuptuar kufizim në sistemin bankar ndërkombëtar me humbje të aksesit të bizneseve ruse ndaj Dollarit amerikan.

“Vendimi është tërësisht i Putinit. Askush tjetër nuk do ta marrë atë vendi dhe askush tjetër nuk do të ndikojë. Ai po e merr atë vendim. Dhe dyshoj se ka rëndësi në cilën anë të krevatit ngrihet në mëngjes se çfarë saktësisht do të bëjë”.

Kremlini ka grumbulluar rreth 100,000 trupa pranë kufijve të Ukrainës, një grumbullim që Perëndimi thotë se është përgatitje për një luftë për të penguar Ukrainën të bashkohet ndonjëherë me aleancën e sigurisë perëndimore të NATO-s. Por Rusia mohon planifikimin e një pushtimi. Biden u tha gazetarëve se besonte se Putini do të testonte liderët perëndimorë, ndërsa përgjigjia ndaj çdo pushtimi rus do të varej nga shkalla e veprimeve të Moskës.

“Rusia do të mbahet përgjegjëse nëse pushton, dhe kjo varet nga ajo që bën. Është tjetër gjë nëse është një inkursion i vogël. Por nëse ata në fakt bëjnë atë që janë në gjendje të bëjnë me forcën e grumbulluar në kufi, do të jetë një katastrofë për Rusinë nëse ata pushtojnë më tej Ukrainën. Aleatët dhe partnerët tanë janë gati të imponojnë kosto të rënda dhe dëm të konsiderueshëm për Rusinë dhe ekonominë ruse. Putini e di, ka një zgjedhje të ashpër; ose de-përshkallëzim e diplomaci, ose një konfrontim dhe pasoja”.

Biden dhe ekipi i tij kanë përgatitur një grup të gjerë sanksionesh dhe dënimesh të tjera ekonomike për t’i vendosur Rusisë në rast të një pushtimi.

Ndërkaq Imazhet satelitore nga Maxar Technologies treguan forcat ruse të dislokuara në katër lokacione në Rusinë perëndimore afër kufirit me Ukrainën.

Leave a Reply