Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se ai dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping janë pajtuar për të zbatuar “marrëveshjen për Tajvanin”.
Biden duket se i është referuar politikës së Uashingonit për “një Kinë”, e cila njeh Kinën dhe jo Tajvanin.
Megjithatë, kjo marrëveshje i mundëson Uashingtonit të mbajë marrëdhënie “jozyrtare” me Tajvanin.
“Kam biseduar me presidentin Xi për Tajvanin. Ne jemi pajtuar se do të zbatojmë marrëveshjen për Tajvanin”, ka thënë presidenti Biden.
“Ne e kemi bërë të qartë se unë nuk mendoj që ai duhet të bëjë diçka tjetër përveç zbatimit të marrëveshjes”.
Ky njoftim vjen në kohën e përshkallëzimit të situatës në mes të Tajvanit dhe Pekinit.
Kina ka dërguar “numër rekord” të aeroplanëve ushtarakë në zonën e mbrojtjes së Tajvanit për katër ditë me radhë.
Disa analistë kanë thënë se këto veprime mund të jenë paralajmërime për presidentin e Tajvanit pak ditë para shënimit të ditës kombëtare.
Tajvani ka kushtetutën e vet, ushtrinë dhe liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe e konsideron veten shtet sovran.
Megjithatë, Pekini e sheh Tajvanin si provincë të veten dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për t’u bashkuar me këtë ishull.
Politika “Një Kinë”, të cilës besohet se i janë referuar Biden dhe Xi është gurthemel i marrëdhënieve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, mirëpo dallon prej parimit Një Kinë, sipas të cilit Kina insiston që Tajvani është pjesë e pandashme e Kinës dhe një ditë do të bashkohen.
Të mërkurën, ministri për mbrojtje i Tajvanit ka thënë se tensionet ushtarake me Kinën janë në pikën më të keqe në më shumë se 40 vjet./REL