Me shkrimtarë të diasporës: GRIGOR JOVANI

NUK T’I SHIKOJNË DORËSHKRIMET, POR XHEPAT!

Grigor Jovani u lind në Jorgucat të Gjirokastrës, më 1959. Kaloi fëmijërinë dhe rininë në Laç të Kurbinit. Përfundoi studimet e larta filologjike më 1983, punoi për dy vjet si mësues në Mirditë dhe Krujë, mandej, derisa u largua nga Shqipëria, pas një specializimi për media, ka qenë gazetar profesionist. Më 1991 u shpërngul familjarisht në Athinë, ku jeton edhe sot. Është marrë gjithë kohës me shtypin shqiptar të emigracionit. Prej vitit 2006 boton në Athinë Revistën Letrare dhe Artistike “Pegasi”. Shkruan letërsi, poezi dhe prozë, si edhe përkthen letërsi të huaj në shqip. Është vlerësuar për publicistikën dhe krijimtarinë letrare me çmime të ndryshme.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrar si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca), i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

JOVANI: Kudo që të ishin do ta bënin letërsinë e tyre. Krijimtaria nuk varet nga vendndodhja e krijuesit, por nga ajo shtysë e brendshme për ta parë dhe shprehur vetveten dhe botën në mënyrë artistike. Shkrimtari është si ai futbollisti ndërkombëtar, që tek fusha me gurë e fëmijërisë kupton së pari që i pëlqen kjo lojë më tepër se gjithçka, pastaj talentin e tij e dallojnë edhe të tjerët, e inkurajojnë të vazhdojë pasionin e jetës dhe pasi shkëlqen në fushat zyrtare të vendit të tij, mund ta bëjë këtë punë po kaq mirë ose akoma më mirë edhe jashtë Atdheut. Veçse jashtë Atdheut dhe në nivelin që ka arritur tashmë talenti i tij ka kushte të tjera, më të favorshme për t’u perfeksionuar. Tani po, krijuesi është në gjendje të pretendojë letërsinë e mirëfilltë. Nuk ka kohë dhe shans tjetër. Dikur edhe për futbollistët afron fundi i karrierës së tyre… O tani, o kurrë! Prandaj lindin edhe kryeveprat. Një lindje mund të ndodhë kudo, edhe jashtë shtëpisë. Ato që thatë pak më sipër, “vetmia e papërballueshme e përmallimit atdhetar”, “lemeria e asimilimit” etj, etj, nuk kanë të bëjnë me punën krijuese. Janë togfjalësha të ngurtësuar, që vijnë nga e kaluara e romantizmit patriotik dhe nuk i përshtaten të vërtetës së kohës që rrojmë, që ju vetë sanksionuat me kaq saktësi: “… shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, është në atdhe!” Ju kujtohet rrëfimi i Kadaresë, se kur u ndje më në fund qytetar i Parisit? Atëherë kur ndjeu nevojën biologjike të krijimit, u ul tek një cep i kafesë së tij të preferuar në Paris dhe… filloi të shkruajë. Shkrimi është Atdheu i shkrimtarit.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializmit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

JOVANI: Më duket se ka një ngatërrim këtu përsa i përket terminologjisë. Unë e di se me termin Letërsi Hispanoamerikane nënkuptojmë letërsinë e madhe të Amerikës Latine, gjatë një kohështrirjeje të gjatë, treqindvjeçare, që përfshin tre epoka, kolonizimin hispanik, kalimin nga klasicizmi tek modernizmi dhe epoka e artë, shek. i 20-të, ku u vulos ndikimi absolut i kulturës së ardhur mbi atë ekzistuesen vendase, gjë që u pasqyrua edhe tek letërsia. Pikërisht kjo periudhë nxori korifenj të tillë letrarë, si Borges, Oneti, Sabato, Rulfo, Garcia Markez, Cortazar e shumë të tjerë në këto vende në Jug të “kontinentit të vjetër”. Nuk e di nëse mund të përfshijmë në këtë term edhe atë letërsi që krijuan të ardhurit e të ashtuquajturit “Perëndim i Largët” ose “i Egër” në pjesën veriore të kontinentit (nuk e di gjithashtu pse u quajt “kontinent i ri”), ku në tokën e pushtuar të indigjenëve u imponua kultura e kolonizuesve evropianë, bashkë me pushtetin e tyre, që sot ekziston në prezencën e kombit dhe shtetit të madh, SHBA-së. Jo, jo, nuk është e njëjta gjë, më duket…
E tërheq “vërejtjen” time, nëse keni parasysh të parën, letërsinë latinoamerikane, por nuk është përcaktuar qartë në pyetjen tuaj… Sidoqoftë, shumë i skajshëm do të ishte krahasimi i këtyre letërsive me atë që krijojnë sot shkrimtarët shqiptarë të Diasporës. Nuk ekzistojnë kushtet përqasëse, laboratori gjeopolitik i krijimit është shumë i ndryshëm. Ne nuk u shpërngulëm për t’iu imponuar asnjë kulture vendase, zaten edhe të donim, nuk mund ta bënim këtë. Erdhëm thjesht si hallexhinj, për të jetuar më mirë dhe nëse bëmë punën tonë, shkruam vetë më mirë në vazhdim, mbase ndikoi kultura dhe letërsia që gjetëm, ajo vendase. Mbase ishim ne “të asimiluarit”. Këtë “fat” kishin dikur edhe të ardhurit e hershëm në këto troje ku u vendosëm ne tani, legjionarët romakë, që ndonëse pushtuan me forcë territoret e Helladës së Lashtë, u gjendën të pushtuar në kulturë prej saj epoka dhe epoka më vonë… Kjo për sa u përket atyre, që si unë, u ngulën këtu në Greqi.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë. Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

JOVANI: Gjuha është identiteti i një kulture, doemos edhe i letërsisë së saj. I përket letërsisë së një kombi, sepse shkruan me gjuhën e tij. Me atë formohesh dhe atë përdor si mjet shprehës. Bashkëfolësve të asaj gjuhe u drejtohesh. Kjo nuk ndodh me dekrete. Është një përzgjedhje e brendshme e shkrimtarit. Disa herë nuk ka të bëjë me kombin prej të cilit rrjedh. Kushtëzohet nga rrethanat. Formohesh brenda një kulture, ndërgjegjësohesh se i përket asaj dhe përdor mjetet komunikuese që ajo të disponon. Kjo është punë, teknikë. Vetëm se duke bërë përzgjedhjen e gjuhës, je përcaktuar automatikisht në kulturën përkatëse, në letërsinë e saj. Nuk mendoj se ka shkrimtarë botërorë, ka shkrimtarë kombëtarë që hyjnë pastaj nëpërmjet këtij identiteti tek maza e madhe e botërorëve. Kjo vetëm mund të jetë rruga e “krijimeve unikale”, siç e përcaktuat ju.
Mund të jemi në diasporë, por i përkasim kulturës shqiptare, letërsisë së saj, kryesisht ngaqë shkruajmë shqip. Nëpërmjet saj trokasim tek “konaqet” e huaja letrare. Mendimi se duhet të shkruash në gjuhët evropiane, në rastin tonë si emigrantë në gjuhët përkatëse vendase, që të bëhesh pjesë e letërsisë evropiane, më ngjan naiv. Vetëm nëse dëshiron të “ndërrosh shtëpinë”. Është punë për ty, por mos u vetëshpall “ambasador kulture”, se nuk do të besohesh. Duhet të luash futboll në kampionatet vendase, që të inkuadrohesh pastaj edhe në ato evropianet…
Këtu lind nevoja imediate e përkthimit të veprave tona në gjuhët e huaja që dëshirojmë. Është bërë punë e konsiderueshme, të paktën përsa i përket realitetit grek, të cilin njoh. Ia kanë gjetur anën kësaj nevoje shkrimtarët emigrantë, njoh shumë raste pune të shkëlqyer në këtë drejtim. Dhe janë mirëpritur në përgjithësi nga kultura vendase, po të mos dëgjojmë kapriçot e veçanta të disa kolegëve, që qahen vazhdimisht, se nuk u a kanë dorëzuar vendasit akoma… çelësat e shtëpisë së tyre. Këtu kanë hyrë në punë shkëlqyeshëm edhe “urat e miqësisë” – kolegët minoritarë grekë të Shqipërisë, që rrojnë edhe ata me vëllezërit shqiptarë në këtë vend. Kanë vënë në dispozicion talentin dhe njohjen e tyre të gjuhës, në dobi të kësaj pune. Ata janë urat me të vërtetë të efektshme, jo ato të rremet e politikës. Kë të përmend më parë, Telemak Koçën, Niko Kacalidhën, Arqile Garon apo Petro Çerkezin? Jam krenar për ta, edhe pse i përkas të njëjtës kategorie.
Institucionet tona shtetërore në Atdhe është fat që nuk janë marrë seriozisht me këtë punë. Do ta bastardonin në mënyrë qesharake këtë mision, si çdo gjë tjetër. Është problem shumë serioz dhe i nevojshëm për ne, që të merren me të kameleonët politikë të Atdheut. Do ia gjejnë anën shkrimtarët e diasporës vetë kësaj nevoje. I zoti e nxjerr gjënë e butë nga balta. Zoti na ruajt, në u dasht të biem në dorën e gomerëve të tillë!

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese nga organet respektive shtetërore?

JOVANI: Ah, këtu fillon drama dhe komedia bashkë. Një mishmash i vërtetë. Asgjë e frytshme, asgjë e natyrshme, mesjetë! Ata nuk janë botues letrarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Janë xhambazë. Varrmihësit e letërsisë shqipe. Nëse letërsia kombëtare është katandisur ajo që është, botuesit janë fajtorët kryesorë. Botues u thënçin! Nuk t’i shikojnë dorëshkrimet, por xhepat. Nëse mund të të vjedhin, mund edhe të ulin brekët para teje, nëse nuk ndodh kjo dhe ti u përplas në fytyrë dorëshkrimet, ata të shikojnë si të jesh alien. Vjen nga një planet tjetër dhe nuk ke para? Të dhjefsha letërsinë, nuk vlen grosh! Këta janë botuesit e sotëm të Atdheut dhe ky është edhe fati ynë: përjashtimi! Kështu që detyrohemi të gënjejmë vetveten: botojmë në ca shtypshkronja bakallësh dhe “librat” tanë ua falim miqve. Sa do të zgjasë kjo? Aq sa shteti ynë i korruptuar do të ndërrojë fytyrë. Aq sa shtëpitë botuese nuk do të jenë edhe shtypshkronja. Aq sa do të ketë treg të vërtetë libri, me standarde bashkëkohëse evropiane. Është thënë kaq herë kjo, dihet zgjidhja. Pse nuk bëhet? Se shteti xhambaz është ortak me mafian e librit. Pikë! Në këto situata, mos u kthefshim kurrë në Atdhe. Nuk është Atdhe ai, është shtëpi publike, ku bëjnë qejf xhambazët dhe putanat.

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

JOVANI: E ka thënë dhe e thotë. Sepse është punë miqsh, marrëdhënie kolegësh brenda të njëjtës letërsie. Nuk hyn shteti këtu. Bie fjala, për çdo libër timin, është shkruar në Shqipëri dhe në shtypin e diasporës. Kur flas për veten – më ndjeni! – nënkuptoj edhe kolegët e mi në diasporë. Organizojmë promovime në Shqipëri të librave tanë, mikpresim kolegët nga Atdheu tek ne për librat e tyre. Ndjehemi bij të të njëjtit zot. Dhe me çdo rast shajmë ata që nuk na duan bashkë, që duan të mos bashkëpunojmë, ngaqë kështu mund ta bëjnë punën e tyre makavielane më mirë. Jemi e njëjta vlerë shkrimtarët brenda dhe jashtë Atdheut, që ecim njëkohësisht. Si vëllezër siamezë.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

JOVANI: “Antologjitë” janë farsa të gëzuara në teatrin tonë letrar. Brenda dhe jashtë Atdheut. Duhen parë si skeçe të gëzuara, që të bëjnë të qeshësh, por që harrohen në çastin pasardhës. Nuk duhen marrë seriozisht, përndryshe mund të çmendesh. Janë punë të dorës, artizanale, nga çirakë profanë të zanatit. Më të paaftët në letërsi mund të bëjnë një Antologji Letrare. Më të patalentuarit, natyrisht, do të jenë përzgjedhur brenda. Të ngjashmit, që njohin njeri-tjetrin. Ç’të them tjetër? Humbas seriozitetin…

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

JOVANI: Sot kemi lirinë e të shprehurit, mundësinë e lëvizjes dhe të përzgjedhjes. Asgjë nuk krahasohet me lirinë. Nuk ka visar më të çmuar për krijuesin. Dhe ai e ka tashmë në dorë këtë pasuri. Mund ta përdorë. Asgjë nuk të falet. Çdo gjë mund të arrihet. Me kusht, të jesh i lirë. Prandaj do të them se sot jeta letrare e shqiptarëve është më e pasur se dje. Me mundësitë që na jep koha, le të punojmë për ta bërë më të pasur edhe letërsinë tonë. Xhanëm, bota nuk u krijua në një ditë…

Leave a Reply