Në Vjenë u vendos që të vazhdojnë të martën bisedime për programin bërthamor të Iranit. Pala iraniane tha se negociata nuk janë të nevojshme, po të heqin sanksionet SHBA.
Bisedimet për programin bërthamor iranian do të vazhdojnë të martën në Vjenë. Këtë e njoftoi Bashkimi Evropian. Negociatat me Iranin do t’i vazhdojnë përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Kinës dhe Rusisë.
Do të ketë gjithashtu bisedime të ndara me Shtetet e Bashkuara. BE kishte ftuar në një konferencë virtuale për sot. Bëhej fjalë për kthimin e mundshëm të SHBA në marrëveshjen bërthamore të Vjenës të vitit 2015, e cila synonte të parandalonte ndërtimin e një bombe atomike iraniane.
“Pjesëmarrësit ranë dakord të rifillojnë këtë sesion të Komisinit të përbashkët në Vjenë javën e ardhshme, në mënyrë që të përcaktohet qartë heqja e sanksioneve dhe masat që duhen zbatuar për armatimin bërthamor, edhe përmes mbledhjeve të grupeve përkatëse të ekspertëve, thuhet në deklaratën e BE.
SHBA e braktisën marrëveshjen nën Trumpin
“Në këtë kontekst, koordinatori gjithashtu dëshiron të intensifikojë kontakte të ndara në Vjenë me të gjithë pjesëmarrësit e JCPOA dhe Shtetet e Bashkuara.” Zyrtari i lartë i BE konfirmoi se një delegacion amerikan do të jetë gjithashtu i pranishëm në Vjenë të martën për bisedimet bërthamore dhe i gatshëm për negociata indirekte.
Shtetet e Bashkuara e braktisën në mënyrë të njëanshme marrëveshjen nën Presidentin Trump dhe vendosën sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit. Që atëherë, Irani i ka shkelur kushtet e marrëveshjes, duke përfshirë edhe rritjen e pasurimit të uraniumit. Pasardhësi i Trumpit, Biden, ka premtuar se do të rikthehet në marrëveshje.
Përfaqësues iranianë u thanë agjencive të lajmeve se negociata nuk janë të nevojshme, po të heqin sanksionet SHBA. Me heqjen e sanksioneve, Irani u rikthehet në mënyrë të verifikueshme, kufizimeve bërthamore./DW