Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi pas një takimi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, se Izraelin do ta vizitojë të mërkurën Presidenti amerikan Joe Biden, për të riafirmuar solidaritetin e Shteteve të Bashkuara për Izraelin.
Sekretari Blinken njoftoi gjithashtu se ishte rënë dakort me Izraelin për një plan që do të mundësojë që furnizimet me ndihma humanitare të mbërrijnë tek civilët në Gaza. Menjëherë pas këtij njoftimi, nga Uashingtoni zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, informoi se Presidenti Biden do të udhëtojë edhe drejt Jordanisë për t’u takuar me Mbretin Abdullah, Presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi dhe me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas.
Presidenti Biden tha se Izraeli do të bëjë “gjithçka të mundur për të shmangur vrasjen e civilëve të pafajshëm”. Ai gjithashtu tha se do të ishte “një gabim i madh” nëse Izraeli do të pushtonte Rripin e Gazës. Më herët gjatë ditës, Izraeli bëri sulme të reja me raketa ndaj Gazës, ndërsa u zotua të eliminojë kontrollin e Hamasit mbi territorin e ngushtë palestinez përgjatë Detit Mesdhe.
“Vazhdon të mos ketë ujë për shumicën dërrmuese të popullsisë në Gaza”, tha Juliette Touma, zëdhënëse e agjencisë së OKB-së që ndihmon palestinezët, UNRWA. “Bëhet fjalë për 2 milionë njerëz në Rripin e Gazës që nuk kanë ujë, dhe uji po mbaron, uji është jetë, dhe jeta po mbaron në Gaza”.
UNRWA tha të hënën se nuk ka mjaftueshëm qefinë për të mbledhur trupat e të vdekurve në Gaza. Zonja Touma tha se rreth 1 milion palestinezë kanë ikur drejt jugut dhe gati 400,000 prej tyre janë strehuar kryesisht në shkollat e UNRWA-s. Një grup po strehohet në një depo të UNRWA-s, për të cilën zonja Touma tha se nuk është e pajisur për të qenë strehim. UNRWA ka vendosur një ekip fillestar në Egjipt për t’u përgatitur për hapjen e mundshme të një korridori humanitar për të sjellë furnizime me ndihma në Gaza.
OKB-ja njoftoi se drejtuesi për operacionet e ndihmave, Martin Griffiths, do të shkojë në Egjipt të martën për një vizitë disaditore dhe se planifikon të vizitojë edhe Izraelin
Ndërkohë, numri i të vdekurve nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor dhe sulmet ndëshkuese të Izraelit në Gaza po rritet. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se 2,750 palestinezë janë vrarë dhe 9,700 janë plagosur. Më shumë se 1,400 izraelitë janë vrarë dhe të paktën 199 të tjerë, u kapën nga Hamasi dhe u morën si pengje në Gaza, sipas Izraelit.