htetet e Bashkuara i bënë thirrje të martën Rusisë të ndalë rritjen e pranisë ushtarake në kufirin me Ukrainën ndërsa Moska, me një fjalor që të kujton Luftën e Ftohtë, tha se “kundërshtari” i saj duhet t’i mbajë anijet luftarake amerikane larg nga Krimea e pushtuar.
Moska e pushtoi Krimenë, një territor i Ukrainës, në vitin 2014. Luftimet janë përshkallëzuar në javët e fundit në pjesën lindore të Ukrainës, ku forcat qeveritare kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia në një konflikt që zhvillohet prej shtatë vitesh e që Kievi thotë se ka vrarë 14,000 persona.
Këtë javë në Detin e Zi pritet të mbërrijnë dy anije luftarake amerikane.
Në Bruksel, Sekretari amerikan Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni qëndron fort pas Ukrainës. Ai ndodhet aty për bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe ministrin e jashtëm të Ukrainës.
Zoti Blinken tha gjithashtu se do të diskutonte edhe rreth planeve të Kievit për t’u bashkuar një ditë me NATO-n megjithëse Franca dhe Gjermania prej kohësh kanë shprehur shqetësimin se anëtarësimi në NATO i ish-republikës sovjetike do të nxiste armiqësinë me Rusinë.
“Shtetet e Bashkuara janë kundërshtari ynë dhe po bëjnë gjithçka që munden për të minuar pozicionin e Rusisë në skenën botërore“, shkruanin të martën agjencitë ruse të lajmeve duke cituar zëvendës ministrin e Jashtëm rus Sergei Ryabkov.
Komentet e zotit Ryabkov sugjerojnë se qasjet e kujdeshme diplomatike të cilat ish-armiqtë e periudhës së Luftës së Ftohtë kanë kërkuar përgjithësisht t’i ruajnë, janë shkatërruar në dekadat e fundit dhe se Rusia do të vepronte me forcë kundër asaj që ajo e sheh si ndërhyrje të papranueshme nga ana e SHBA-së në sferën e saj të ndikimit.
“Paralajmërojmë Shtetet e Bashkuara se do të ishte më mirë për ta që të qëndrojnë larg Krimesë dhe bregdetit tonë në Detin e Zi. Do të jetë për të mirën e tyre“, tha zoti Ryabkov, duke e quajtur dislokimin e SHBA-së një provokim të krijuar për të vënë në provë durimin rus.
Thirrje për ulje të tensioneve
Zoti Blinken u takua me Ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dmytro Kuleba pasi ministrat e Jashtëm të vendeve që përbëjnë Grupin e Shtatëshes dënuan atë që ata thanë se ishte rritje e pashpjegueshme e numrit të trupave ruse në kufi me Ukrainën.
Duke i bërë jehonë komenteve të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili u takua më herët me zotin Kuleba, zoti Blinken tha se Moska po grumbullonte forca në dislokimin më të madh të trupave nga viti 2014, kohë kur Moska aneksoi Krimenë. Ai i quajti veprimet e Rusisë “tejet provokuese”.
“Në javët e fundit Rusia ka zhvendosur mijëra trupa të gatshme për luftime në kufijtë e Ukrainës, zhvendosja më e madhe e trupave ruse që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014“, tha zoti Stoltenberg.
“Rusia duhet t’i japë fund kësaj rritjeje të numrit të trupave si brenda dhe rreth Ukrainës, të ndalë provokimet e saj e të ulë menjëherë tensionet“, tha zoti Stoltenberg në një konferencë shtypi me zotin Kuleba.
Rusia ka thënë se ajo i lëviz trupat ashtu siç e gjykon të arsyeshme, përfshirë edhe për qëllime mbrojtëse. Ajo ka akuzuar rregullisht NATO-n për destabilizim të Evropës me përforcimet e trupave të saj në Baltik dhe Poloni që nga aneksimi i Krimesë./VOA/