Blushi: Dekriminalizimi, i paplotë. Partitë politike, ndërmarrje fitimprurëse

Deputeti socialist Ben Blushi ka qënë mjaft i ashpër në Parlament ndaj klasës politike. Edhe pse ka deklaruar votën e tij pro, Blushi është shprehur se ligji për dekriminalizimin është i paplotë.

“Megjithatë unë besoj se sot ky ligj do vazhdojë të jetë i paplotë dhe i pazbatueshëm për sa kohë që burimet e kësaj shëmtie nuk kanë gjasa të rregullohen. Është njësoj si të pretendosh se një lum është i pastër dhe kur përrenjtë që e furnizojnë janë të ndotur. Nëse përrenjtë janë pis, dhe lumi do jetë pis. E dini kush janë përrenjtë e këtij Parlamenti? Janë partitë tona. Nuk është shoqëria, nuk është Shqipëria, partitë politike që furnizojnë Parlamentin që kemi sot. Për sa kohë partitë politike nuk janë demokratike, nuk respektojnë votat e anëtarësisë, nuk votohen, nuk zgjedhin dhe nuk zgjidhen, mbushen me padrejtësi dhe parregullsi, sigurisht këtu do vijnë të fortët dhe të papërshtatmit”, tha Blushi.

Partitë politike, vijoi Blushi më tej, janë deformuar, dhe nuk janë më bashkime njerëzisht që respektojnë një program, por ndërmarrje fitimprurëse.

“Filtri i përfaqësuesve të popullit është deformuar deri në masën që sot partitë tona nuk janë më bashkime njerëzish që respektojnë një program dhe një statut në mënyrë vullnetare. E dini ca janë? Janë ndërmarrje fitimprurëse. Kështu janë sot dhe partitë e mëdha dhe të vogla në Shqipëri. Ndryshojnë vetëm e vetëm nga fitimet. Konkurrenca për më shumë fitim i ka shtyrë partitë të thërresin nën armë të gjithë ata që kanë shkelur ligjin, kjo është arsyeja që në këtë Parlament nuk ka mësues, po ka nxënës të këqinj. Në këtë Parlament ka më shumë armë, se libra. Nuk ka më shumë ekonomist, po spekulantë, nuk ka më shumë juristë, po ish të burgosur, dhe për fat të keq nuk ka inxhinier këtu, po njerëz që kanë bërë ndërtime pa leje. Kjo do ta vazhdojë për aq kohë sa partitë tona të mos jenë demokratike”, tha Blushi.

Blushi ka qënë mjaft i ashpër edhe me ata deputetë që kanë nxjerrë si alibi sipas tij, “se ftuam banditët për të mundur banditët”. Këtë argument Blushi e ka quajtur racist, ndërsa nuk i kurseu edhe ironinë ndaj atyre që bëjnë këto deklarime.

“Dhe që në fund fare t’i jap përgjigje atyre xixëllonjave që rinë në ballin e partisë. E dini ku është ndryshimi? Fëmijët e fshatrave kur duan të gjejnë derën e banjës vënë një xixëllonjë në ballë. Kjo nuk është dritë. Xixëllonja të ndihmon të gjesh banjën, kurse drita të dalësh nga errësira”, përfundoi Blushi.

Tahiri: Të kthejmë rrogën mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në fjalën e tij në Kuvend nënvizoi se opozita nuk duhet të mburret me ligjin e dekriminalizimit në një kohë që shqiptarët ende vuajnë padrejtësinë, por duhet punuar bashkarisht për miratimin e reformës në drejtësi.

“Ulni gishtin e akuzës dhe kokën në shenjë respekti për hallet e qytetarëve. Nuk ka vend sot për dekorata dhe për mburravecë podiumesh. Kjo seancë duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Duhet të zgjidhim hallin e madh të qytetarëve, që janë njerëzit që i kanë shpëtuar drejtësisë. Kësaj nuk i kemi dhënë zgjidhje. Nuk ka vend për t’u mburrur. Po dënojmë ata që janë dënuar, por çfarë do bëjmë me ata që nuk janë dënuar ende? Po i themi shqiptarëve se nuk do të keni më në Parlament njerëz të dënuar, por do të vazhdoni t’i keni në pallat, do vazhdoni t’i keni biznesmenë. Do i shikoni kudo. Po i heqim nga Parlamenti, por po jua lëmë juve në derë. Për këtë po mburremi? Sot po i themi shqiptarëve se, edhe pse nuk po marrin pronat, të rrinë të qetë se nuk do të votojnë më njerëz të dënuar, edhe pse ai që të ka vjedhur është i lirë. Për këtë po mburremi? Shqiptarët duan drejtësi, duan që vrasësi dhe hajduti të dënohet; të ndihen me pushtetin e drejtësisë; për reformën në drejtësi. Para se të rrihni gjoksin, heshtni sepse shqiptarët vuajnë ende padrejtësinë dhe pandëshkueshmërinë. Ne kemi vetëm një mision: t’ i kthejmë rrogën qytetarëve mbrapsht nëse nuk miratojmë reformën në drejtësi” tha Tahiri.

Berisha: Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipërisë nuk i duhet dekriminalizimi i politikës, por “de-edvinizimi” i administratës.

“Nuk ka shqiptar që nuk i dinte lidhjet e tij me bandën e Aldo Bares, me bandën e Dritan Dajtit, nuk ka shqiptar që nuk e dinte lidhjen e tij dhe dominimin e tij nga banda të tjera, por megjithatë e thashë atëherë këtu para jush se shqiptarët me votën e tyre e amnistuan. Ata i dinin këto, po thanë do e provojmë”, tha Berisha.

“Krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës. 80% e deputetëve nuk e hapin gojën, pasi kriminelët në sallë i kërcënojnë dhe i tmerrojnë”, shtoi Berisha, i cili më pas foli për ligjin e dekriminalizimit, të cilin e konsideroi vetëm si një hap të parë.

“Ligji i dekriminalizimit është arritje, por përbën vetëm një hap të parë. Le të besojmë se çdo gjë e madhe fillon me një hap të parë. Shpreh mirënjohje për të gjithë ata që e mbështetën këtë ligj. Mirënjohje për lidershipin e PD-së dhe partnerët ndërkombëtarë. E përsëris se është hapi i parë dhe se asgjë nuk kërcënon të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj, sesa sundimi i krimit. Shqiptarët nuk pajtohen me krimin. Çdo njeri që i shet votën krimit, shet të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Krimi në dy vite ka marrë me qindra jetë. Ka shkelur dhe dhunuar të drejtat e njeriut, por shkatërroi edhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, tha Berisha.

Berisha: Seanca të shtyhet derisa të vijë Rama. Balla: Është miratuar me konsensus
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar shtyrjen e seancës parlamentare deri në rikthimin e Edi Ramës nga Kina. Ai tha se ky ligj i rëndësishëm nuk mund të diskutohet pa “protagnostin kryesor”, referuar pasaardhësit të tij.

“Ta konsiderojmë shtyrjen e kësaj seance dhe ardhjen e tij si një detyrim madhore për publikun shqiptar. Duhet të keni vetëdijen qytetare, vetëdijen politike se e katandis shqipërinë në nivele dhe hone të tilla që ka njohur vetëm në mesin e viteve ’70 nga krimi. Ky ligj nuk mund të diskutohet pa protagonistin kryesor të sistemit të krimit të vendosur në Shqipëri. Absolutisht është fryt i konsensusit dhe e vlerësoi këtë në mënyrë të padiskutueshme se kam qenë i bindur se dhe në krahun tjetër ka individë të ndershëm dhe me integritet. Por nuk mund të mos i themi në sy të gjitha atij që solli shtetin në këtë pikë, që shndërroi qeverinë në një organizatë kirminale. Unë ju propozoj të mblidhni krerët e grupeve dhe të vendosni shtyrjen e kësaj seance deri në rikthimin e arkitektit të sistemit të krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama”, tha z. Berisha.

Në përgjigje të tij, deputeti socialist Taulant Balla tha se rendi i ditës u miratua me konsensus të plotë në Konferencën e Kryetarëve dhe me miratimin edhe të kreut të grupit parlamentar demokrat. Por ish kryeministri Berisha iu përgjigj se kreu i grupit nuk ka qënë në dijeni të faktit se nuk do të ishte i pranishëm kryeministri Rama.

Bregu: Dekriminalizimi nuk është standard europian, por një nevojë e brendshme
Dekriminalizimi nuk është standard europian që na është kërkuar për t’u plotësuar, por detyrim që lindi si nevojë së brendshmi tha deputetja demokrate Majlinda Bregu, në seancë.

Ky proces tha Bregu i kthen Shqipërisë politikën, duke e quajtur më shumë një fitore është fakti që i vumë “vetë titullin hallit të madh që ka ky Parlament”.

“Nëse duam ta quajmë fitore këtë proces, më shumë se sa fitore të një konsensusi politik, për mua fitorja e vërtetë është se ne i vumë titullin vetë hallit të madh që ka ky Parlament. Kjo për mua nuk është njolla e zezë e politikës tonë, por ka plot njolla të dukshme e të padukshme, skenarë po aq të ndyrë sa dekriminalizimi, peshën e turpit që nuk e ndjejnë vetëm ata që pushtetin e kanë njësoj etik si ajri. Dekriminalizimi i kthen Shqipërisë politikën. Të gjithë bashkë së pari nga kryetarët e partive kanë marr peng politikën, ose më saktë besimin te politika. Ky ishte rast tipik se me hallin tënd duhet të merresh vetë. Sot ky ndërgjegjësim ka filluar të marrë formë”, tha znj. Bregu.

Braho: Amendamentet e PD-së për dekriminalizimin, tendencë për zvarritje
Deputeti i LSI-së Spartak Braho e ka quajtur synim për zvarritje të miratimit të pr/ligjit për dekriminalizimin, paraqitjen e dy amendamenteve nga opozita.

Braho tha se janë pa vendet tendencat për të marr përsipër autorësinë për kapital politik.

“E shoh pa vend tendencën pë të zgjatur farsën e diskutimeve dhe turavrapin për të marrë përsipër autorësinë për kapital politik dhe akuzat e llumi që do të hidhen sot. Kemi përfunduar një proces të rëndësishëm dhe historik. Qëndrimi pa sens, i papërgjegjshëm dhe kërkesa për të sjellë përsëri në vëmendje, diskutuan për votim amendamentet teksti drogës nuk janë normale. Do ta konsideroja këtë synim si zvarritje, loja mizerabël, ndërkohë që ky kaptiull është mbyllur njëherë e mirë në komisionin e posaçëm”, tha Braho.

Manja: Me dekriminalizimin fitoi imazhi politik i Shqipërisë
Me dekriminalizimin ka fituar imazhi politik i Shqipërisë, është shprehur deputeti socialist, Ulsi Manja. Ai tha se teksa opozita e bëri kauzë të vetë politike këtë çështje, komisioni nisi punën duke analizuar të gjithë problematikën.

“Sot është momenti që ky kontribut parlamentar i të gjithë faktorëve politikë pa asnjë dallim, duhet përshëndetur sepse me miratimin e këtij projektligji dhe ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapin rrugë zbatimit të tyre dhe do të vijnë në këtë parlament shumë shpejt, në radhë të parë ka fituar imazhi politik i Shqipërisë në sytë e miqve dhe partnerëve kombëtar. Opozita e bëri dekriminalizimin kauzën e saj politike të ditës nga dhjetor në dhjetor, komisioni nisi menjhëre punën duke analizuar gjithë problematikën lidhur me çështjen e shtruar për zgjidhje”, tha Manja.

Interesi individual tha Manja duhet të sakrifikohet për të siguruar më të mirën publike. “Në thelb të këtij drafti ligjor qëndron parimi kushtetues së interesi, apo shqetësimi individual duhet të sakrifikohet për të siguruar më të mirën publike, pastërti dhe integritet të procesit zgjedhor dhe demokratik dhe nga ana tjetër mbron pikëpamjet se të drejtat e njeriut nuk duhet të rrezikohet deri në atë masë. Ndaj cënimi i parimit kushtetues të prezumimit të pafajësisë është propocionale, me rëndësinë e faktit kriminal dhe shtrirja e saj në kohë është e përkohshme”, tha Manja.

Parlament, Halimi: Dekriminalizimi, fitore e aksionit opozitar
Seanca parlamentare e kësaj të enjte ka nisur me prezantimin e pr/ligjit të dekriminalizmit, të prezantuar nga Eduard Halimi. Ai e ka quajtur këtë projektligj një fitore të aksionit opozitar.

“E gjithë kjo sepse dikush kishte parashikuar në zgjedhjet e fundit të bënte marrëveshje me krimin, kontrata ishte e qartë ju më ndihmoni me potencialin tuaj në zgjedhje. Nesër unë në qeveri ju ndihmoj juve. Kjo është kontrata më e keqe, më vrastare për shtetin ligjor, për demokracinë, për ekonominë që vihet në shërbim të krimit. Vrastare për qytetarët, vendin dhe të ardhmen e tij. Raste të tilla në fakt kemi plot, nga vendet fqinje e deri në Kolumbi e Meksikë. Vullneti politik i Lulzim bashës solli pikërisht finalizimin e saj sot me këtë ligj me mbështetje të gjerë që është një fitore e padiskutueshme e aksionit opozitar. Ky ligj ka dy objektiva të qartë, e para të prishë kontratën me krimin të bërë para zgjedhjeve, dhe të eleminojë çdo pasojë nga ky shkak. Pra, largimin e plotë të gjithë atyre zyrtarëve me rekorde kriminale kudo që janë. E dyta të garantoj që ky fenomen i tmerrshëm për vendin të mos përsëritet më. Të mos lejojë drejtuesit politik të vendosë sërish në të ardhmen njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale”, tha Halimi.

Refuzimi i dy propozimeve të PD-së, ato për përjashtimin e deputetëve që marrin pjesë në tendera dhe testin e drogës, Halimi tha se nxjerrin keq Partinë Socialiste.

Leave a Reply