Blushi: Shqipëria po boshatiset, njerëzit emigrojnë nga keqqeverisja

Ndërsa në Kuvend po diskutohej projektligji për regjistrimin e emigrantëve, deputeti Ben Blushi tha se për shkak keqqeverisjes shqiptarët po ikin si emigrantë jashtë vendit. Ai tha se Shqipëria do të boshatiset nëse vazhdohet me këtë trend. Më poshtë pjesë nga fjalimi i Blushit.

“Emigrantët në fakt e kanë fuqizuar ekonominë e vendit tonë, por jo vetëm kaq. Ata i kanë dhënë shpresë këtij vendi. Pyetja është se përse shqiptarët ikin në emigracion? Çfarë i shtyn të ikin? Çfarë u mungon? Ajo që u ka munguar është shpresa për një qeverisje më të mirë dhe më të drejtëi.

Ata ikin si viktima të qeverisë së tyre. Vitin e shkuar ikën mbi 100 mijë. Nëse kjo ikje vazhdon, Shqipëria do jetë një vend më i vogël. Kemi qenë gati 4 milionë para 25 vjetësh jemi gati 2.8 milionë.

Nuk mjaftojnë vetëm ikjet, por edhe lindjet që janë ulur. Shqipëria po bëhet një vend më i vogël.

Kemi rënë në 12 të lindur për 1 mijë banorë, nëse s’duam të zvogëlohemi, duhet të frenojmë lindjet dhe të frenojmë emigracionin.

Para disa ditësh isha në Kukës dhe Kukësi është qyteti i zbrazur i demokracisë. Kur shkon atje e sheh se çfarë  i ka bërë këtij populli keqqeverisja”, tha Blushi.

“Emigrantët nuk na duhen vetëm për votën. Ne ankohemi sot se ka vende pune, por s’ka punëtorë të kualifikuar. Emigrantët i kemi punëtorët më të kualifikuar. Ata shkuan në Europë dhe morën profesione që këtu nuk mund t’i merrnin. Emigracioni sot është shkolla më e mirë profesionale në Shqipëri. Sot me statistikë, 60 shqiptarë duhan të ikin nga Shqipëria, 7 në 10 emigrantë duan të kthehen. Nëse qeverisim më mirë ata kanë arsye të kthehen. Pse mos të kthehen?! Besoj se sot ka ardhur koha për një administratë shqiptare që pranon ata që jetojnë në diasporë”, tha Blushi.

Leave a Reply