Borisov udhëheq në Bullgari, por rezultati mund të përmbyset

Ish-kryeministri Boyko Borisov kryeson në zgjedhjet parlamentare në Bullgari. Rezultatet paraprake tregojnë një garë të ngushtë midis koalicionit GERB të udhëhequr prej tij dhe partisë “Ka një popull të tillë” me në krye prezantuesin televiziv, Slavi Trifonov.

Me mbi 95 për qind të votave të numëruara, partia e Borisov ka 23.91 për qind të votave, ndërsa partia e Trifonov ka 23.66 për qind. Sipas ekspertëve, me votat që kanë mbetur pa numëruar, parashikohet se partia “Ka një popull të tillë” mund të përmbysë rezultatin.

Rreth 6.7 milionë qytetarë të Bullgarisë kanë pasur të drejtë vote për të zgjedhur parlamentin me 240 vende.

Sofja zyrtare ka bllokuar integrimin europian për Maqedoninë e Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve për gjuhën, kombësinë maqedonase dhe personazhet historike. Sipas presidentit bullgar, parlamenti i ri nuk do të ndikojë për të ndryshuar qëndrim ndaj Shkupit.

Por vetë zyrtarët e Maqedonisë së Veriut shpresojnë se ndryshimi i qeverisjes do të përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

 

Leave a Reply