Brazil, Lula Da Silva mund Bolsonaron

Presidenti aktual nuk pranon humbjen, presidenti i ri ishte i dënuar për korrupsion

Udhëheqësi i majtë brazilian Luiz Inacio Lula da Silva mundi ngushtë presidentin aktual Jair Bolsonaro në balotazh.

Bolsonaro nuk e pranoi humbjen duke ngritur shqetësime se ai mund të kundërshtojë rezultatin. Gjykata e Lartë Zgjedhore shpalli Lula Da Silva presidentin e ardhshëm, me 50.9% të votave kundër 49.1% për Bolsonaro. Inaugurimi i 77-vjeçari Lula Da Silva është caktuar për 1 janar.

Është një rikthim mahnitës për një politikan që nuk mundi të kandidonte në zgjedhjet e fundit presidenciale në 2018 sepse ishte në burg dhe i ndalohej të kandidonte për postin. Ai ishte shpallur fajtor për korrupsion nga një firmë ndërtimi braziliane në këmbim të kontratave me kompaninë shtetërore të naftës braziliane Petrobras. Lula kaloi 580 ditë në burg para se t’i anulohej dënimi dhe t’i rikthehej politikës. 

Në qendër të fjalimit të tij ishte një premtim për të trajtuar urinë, e cila ka qenë në rritje në Brazil dhe që po prek më shumë se 33 milionë. Por në një ekonomi post-pandemike, për të përmbushur këtë premtim nuk do të jetë një detyrë e lehtë.

 “Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë dhe ja ku jam. Falënderoj popullin e Brazilit, për fitoren që më ka dhënë. Për këtë arsye, nuk mund të dështoj. Dhe e di që mund të mbështetem në të gjithë ju, me siguri se ne do të përmbushim të gjitha detyrat që ju kemi premtuar. Unë mendoj se njerëzit tanimë nuk duhet të vuajnë”, ka thënë Lula Da Silva.

Fitorja e liderit të krahut të majtë ka të ngjarë të sjellë përplasje me mbështetësit e Bolsonaros, të cilët e etiketojnë Lulën “një hajdut” dhe argumentojnë se anulimi i dënimit të tij nuk do të thotë se ai ishte i pafajshëm, thjesht se nuk u ndoq procedura e duhur ligjore. Ndërsa Jair Bolsonaro ka humbur, ligjvënësit pranë tij fituan një shumicë në Kongres, që do të thotë se Lula do të përballet me kundërshtime të ashpra ndaj politikave të tij në organin legjislativ. Fushata e Jair Bolsonaro ishte e tensionuar sepse presidenti i ekstremit të djathtë kishte hedhur dyshime  pa ofruar asnjë provë  mbi besueshmërinë e sistemit elektronik të votimit të Brazilit.

Leave a Reply