Britania kërkon punëtorë sezonalë

Qeveria shton numrin e vizave të përkohshme të punës për bujqësinë

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të premten se do të zgjerojë skemën e përkohshme të vizave për punëtorët e huaj sezonalë deri në fund të vitit 2024, ndërsa gradualisht do të reduktojë kuotën nga viti 2023.

Vitin e ardhshëm Britania do të ofrojë 30,000 viza gjashtëmujore për punëtorët sezonalë, kryesisht për të mbledhur fruta, perime dhe lule, duke e rritur potencialisht këtë numër në 40,000. Por që nga fillimi i vitit 2023, numri i vizave “do të fillojë të ulet“, tha qeveria, duke shtuar se po kërkon “një plan nga sektori për të shkurtuar varësinë nga punëtorët e huaj“.

Sektori duhet të përmirësojë pagat dhe kushtet, tha qeveria, duke shtuar se po ndryshon rregullat e skemës në mënyrë që punëdhënësit të paguajnë një “pagë minimale“.

Zgjatja e kufizuar e kohës për punësimin e punëtorëve sezonalë “arrin ekuilibrin e duhur të mbështetjes së industrisë ndërsa ajo kalon në punësimin dhe u jep përparësi punëtorëve vendas“, tha KevinFoster, ministër për Migracionin.

Njoftimi se numri i vizave për punëtorët e sektorit të bujqësisë do të zvogëlohet nga viti 2023 u kritikua nga një udhëheqës i sektorit të bujqësisë në Skoci, ku punëtorët sezonalë janë veçanërisht të kërkuar.

Scott Walker, shefi ekzekutiv i Unionit Kombëtar të Fermerëve të Skocisë, shkroi në Twitter se qeveria “po nxirrte një lajm të keq në prag të Krishtlindjes“, duke shtuar se njoftimi se numrat e vizave do të reduktohen nga viti 2023 ishte “lajm shkatërrues për frutat dhe perimet e buta skoceze“.

Nënkryetari i Unionit Kombëtar të Fermerëve, Tom Bradshaw, megjithatë, në një deklaratë tha se ishte pozitive që qeveria po u jepte kultivuesve “qartësi mbi të ardhmen e skemës për tre vitet e ardhshme.

Leave a Reply