Mediat vendore por edhe ato ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për Haradinajn dhe ndalimin e tij dhe derisa nesër pritet vendimi i Gjykatës së Apelit në Colmar, Deutsche Welle në një raport të emetuar pak më parë ka thënë se “gjasat për lirimin e Haradinajt janë të mëdha”, duke u bazuar në një deklaratë të Avoktatit të Haradinajt, Arianit Kocit.
Mëtej Dw raporton se një nga argumentimet e palës serbe është se gjatë procesit në Hagë nuk janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët e parashikuar. Në mediat serbe janë botuar edhe emrat e 30 personave për të cilët mendohet se do të duhej të dëshmonin në proceset kundër Haradinajt. “Por kryeprokurori i Tribunalit Serge Brammertz, ka thënë edhe në Beograd se në rastin Haradinaj janë marrë në pyetje të gjithë personat e parashikuar dhe nuk ka pasur asnjë pengesë juridike për shpalljen e Haradinajt si të pafajshëm”.
“Edhe ish-kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte është shprehur këto ditë e befasuar me autoritetet e Francës, për ndalimin dhe mbajtjen e Haradinajt”.
Avokatët e Haradinajt dhe ai vetë pohojnë se nuk ka asgjë të re. Autoritetet juridike serbe pohojnë se ata kanë dëshmi të mjaftueshme për ekstradimin e Haradinajt në Beograd. Gjykata në Colmar do të marrë të enjten vendimin nëse ai do të ekstradohet apo do të shpallet përfundimisht i lirë.