Ka përfunduar kontrolli i FBI-së në shtëpinë e Presidentit Joe Biden. CNN shkruan se në rezidencën e presidentit në Rehoboth nuk është gjetur asnjë dokument me shenja të klasifikuara.
Avokati i Presidentit, Bob Bauer tha se FBI mbajti shënime dhe mori disa materiale për shqyrtim të mëtejshëm. Kontrolli zgjati plot 3 orë e gjysmë.
Bauer theksoi se njëjtë si në kontrollit që iu bë shtëpisë së Biden në Wilmington, muajin e kaluar, agjentët morën disa materiale që dyshohet se kanë lidhje me periudhën kur Biden ishte zëvendës President.
Mësohet se ky kontroll ka pasur konsensusin e plotë të Presidentit Biden.
Kërkimi vjen pas gjetjes më herët të dokumenteve sekrete në ish-zyrën e Biden në Uashington dhe në një tjetër banesë të tij.
Numri i saktë i të dhënave të klasifikuara të gjetura mbetet i paqartë. Vetë Biden është shprehur se nuk ishte në dijeni se dokumentet kishin mbetur ende në këto vende dhe nuk ishin dorëzuar në Arkivin Kombëtar sipas ligjit.
Për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara është hapur një hetim për ish-Presidentin Donald Trump të cilit gjithashtu iu kontrollua një nga rezidencat në Florida. Një numër i vogël dokumentesh u gjet edhe në zyrën e ish-zv.Presidentit Mike Pence.