Cila është zona me aktivitetin më të lartë sizmik në Shqipëri

Në Nëntor pritet që të publikohet harta e re sizmike, e cila nuk ka më ndarje zonale të rrezikut sizmik, por i gjithë territori konsiderohet njësoj i rriskuar nga aktiviteti sizmik. I ftuar për të folur rreth kësaj harte në studion e Klan News, sizmologu Edmond Dushi përcolli më shumë detaje rreth saj, metodologjisë së përdorur dhe sesi do t’i ndihmojë kjo hartë ekspertët.

“Ideja e termit zonë është një term teknik në fakt, që e përdorim më shpesh. Pra ne, në momentin që flasim për harta të rrezikut sizmik, flasim për diçka krejt tjetër, nga ajo që ne flasim në mënyrë të zakonshme kur flasim për aktivitetin sizmik, ose për tërmetet që ndodhin në territorin e Shqipërisë. Zonat sizmogjene janë zona të dalluara për aktivitet të lartë sizmik dhe natyrisht ne i quajmë zona për shkak se kanë veçori të dallueshme nga njëra-tjetra, ku gjithë territori i vendit ndahet në disa zona, por ajo që është më dominuese është zona e kontaktit me pllakën e Adriatikut që është pjesa jonike dhe adriatike e territorit të Shqipërisë. Për rrjedhojë kemi dhe një zonë tërthorë që vjen si rezultat i impaktit të kësaj zone, që është pjesa drejt Elbasanit dhe Dibrës. Pra këto janë dy zonat kryesore sizmogjene në territorin e Shqipërisë të cilat pritet që të kenë dhe rrezikut më të lartë. Dhe realisht kështu del edhe nga studimet që kemi bërë dhe në hartat e fundit”.

Dushi thotë se tashmë, falë metodologjisë së përdorur në hartën e re të rrezikut sizmik, ekspertët i kanë më të qarta zonat ku tërmetet kanë më shumë impakt.  

“Por kur vjen puna tek harta e rrezikut sizmik, metodologjia e përdorur nga ne është metodologjia e burimeve pikësore ose vetë tërmetit, për shkak se informacioni mbi strukturat tektonike dhe ndërtimit tektonik të Shqipërisë, është shumë i vakët ose i mangët le të themi në raport me metodologjinë që përdoret sot për vlerësimin e rrezikut sizmik për rrjedhojë do të rrisë pasigurinë në vlerësim. Si rezultat i kësaj është adoptuar kjo metodologji, e cila është një ndër metodologjitë alternative dhe më të avancuara dhe që ka gjetur dakordësi. Si rezultat i një analize hapësinore dhe kohore më të mirë të aktivitetit sizmik, bazuar tek vetë tërmeti ne tashmë të gjithë territorin e Shqipërisë e kemi më të qartë në aspektin e rrezikut që impaktohet. Dhe logjikisht ne mund të themi që një tërmet i cili mund të bjerë në një zonë të caktuar të vendit, dhe ka magnitudë mbi 6 nuk mundet kurrsesi mos prekë dhe zonat fqinje me të, duke qenë se territori i Shqipërisë është i kufizuar sa i përket gjeografisë së vet. Ne nga tërmeti i fundit i 2019-s kemi impakt deri në Dibër. Pra kemi pasoja deri në zona të thella të vendit.”/tvklan.al

Leave a Reply