ONM kundër rikthimit në detyrë të ish-prokurorit Besnik Cani

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dalë kundër projekt vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për rikthimin e ish-prokurorit Besnik Cani në radhët e prokurorisë. ONM përmes një reagimi shpreh shqetësimin për këtë vendim që sipas tyre kundërshton vendimmarrjen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, dhe cenon reformën në drejtësi.

“ONM-ja vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut e refuzoi shprehimisht kërkesën e z. Cani për rikthimin e tij të menjëhershëm në postin e mëparshëm, duke marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e vettingut të kërkuesit. Në këtë drejtim, ONM-ja thekson se të gjitha vendimet përfundimtare të vettingut mbeten në fuqi deri sa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar.”

Reagimi i vëzhguesve ndërkombëtar të reformës në drejtësi vjen pasi kreu i KLP-së Alfred Balla la të nënkuptohej se Cani mund të rikthehet në detyrë. Tre vite më parë, KPA vendosi të shkarkojë nga detyra Canin për cenim të besimit të publikut te drejtësia si dhe për deklarim të pa mjaftueshëm të pasurisë. Pas këtij vendimi, Cani nisi betejën me kallëzimin ndaj dy anëtarëve të trupës gjykuese Luan Daci dhe Ardian Hajdari, që votuan përjashtimin e tij nga sistemi gjyqësor.

Më pas Cani iu drejtua Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që evidentoi disa shkelje në vendimin për shkarkimin e ish-prokurorit dhe sugjeroi rishqyrtim të dosjes. Por gjykata hodhi poshtë kërkesat e tij për prishje të vendimit të shkarkimit.

Leave a Reply