Covid prek presidentin sirian

Bashar al Assad arriti t’i mbijetonte konfliktit të ashpër të brendshëm në vend dhe rebelimit që synoi përmbysjen e tij.

E ndërsa Siria ende përballet me pasojat shkatërrimtare të luftës, ajo nuk i ka shpëtuar as makthit të pandemisë. Koronavirusi së fundi ka prekur edhe vetë presidentin sirian dhe të shoqen. Në një deklaratë nga zyra e Assadit theksohet se të dy rezultuan pozitivë në testet për koronavirus të cilat i kryen pasi shfaqen simptoma të lehta të sëmundjes.

Assad, 55-vjeçar dhe Asma, 45-vjeçare do të kthehen në punë pasi të kalojnë dy apo tre javë të izoluar në shtëpi. Gjendja e tyre shëndetësorë paraqitet e qëndrueshme. Siria u përfshi në luftë civile pas protestave fillimisht paqësore të marsit 2011. Zyrtarisht deri më tani janë regjistruar 16,000 persona të infektuar me koronavirus, në zonat që kontrollon qeveria, si dhe 1,063 viktima, por besohet se shifrat reale janë shumë të larta se kaq. Ekzekutivi sirian thotë se ka siguruar vaksinat nga një shtet mik, por ka dhënë emër.

Sakaq kanë qarkulluar raporte se Izraeli ka paguar Rusinë 1.2 milion dollarë për t’i ofruar Qeverisë siriane vaksina kundër koronavirusit, në kuadër të marrëveshjes që ka garantuar lirimin e një gruaje izraelite të mbajtur në Damask. Keto pretendime Siria nuk i pranon, ndërsa Moska për momentin hesht.

Leave a Reply