Ish-kryeministri Berisha dhe pasardhësi i tij, Edi Rama, u janë rikthyer replikave në Kuvend. Berisha mori disa herë fjalën, duke akuzuar qeverinë “Rama” për pasurimin e saj dhe varfërimin e shqiptarëve, ndërsa denoncoi rritjen – sipas tij, – në mënyrë të papërgjegjshme të borxhit publik në 80 për qind.
Kryeministri Rama tha se, vlerësimin e punës së kësaj qeverie do ta bëjë 21 Qershori. Deputetët e opozitës kishin në fokus të kësaj seance denoncimin e përfaqësimit ligjor, sipas tyre nga bashkëshortja e Erion Veliajt, të një trafikanti gjeorgjian, që sipas demokratëve ka bërë pastrim parash në Shqipëri.
“Por çdo gjë ka një moral. Vila dhe themelet duken, dhe nga kush? Nga njeriu që kishte deklaruar se kishte gjithsej 3000 euro në vitin 2011, lexoni mediat. Si u bë ajo vilë e teknologjisë më të fundit? Po pallati që nuk ka asnjë faturë? A ka pallat tjetër në Tiranë pa asnjë faturë përveç atij të kryetarit tuaj, apo të bashkëshortes së kryetarit tuaj? Më thonë nëse ekziston dhe nëse ka ndërgjegje shtetërore këtu apo jo. Sepse po mburret sikur po bën shtet. Çfarë shteti po bën?”, deklaroi ish-kryeministri Berisha.
“Për pak ditë shqiptarët do të thonë diçka, me siguri do ta thonë diçka. Është shumë e rëndësishme të presim me qetësi, t’i dëgjojmë shqiptarët se çfarë do të thonë. Por unë besoj se shqiptarët e kanë kuptuar: për llafe jeni ju këtu në Parlament. Për punë jemi ne, në qeveri dhe në bashkitë e Shqipërisë”, u kundërpërgjigj kryeministri Rama.
“Ky personazh i njohur i krimit dhe mafies ndërkombëtare rezulton në Shqipëri i lidhur, sipas dokumenteve që sot janë në prokurori, me deputetë, të cilët rezultojnë edhe ata me precedentë penalë. Ajola Xoxa, e cila në dokumentet që zotëron prokuroria, rezulton si një nga përfaqësuesit me të drejta të plota ligjore në Shqipëri të Dzanashvilit. Deri tani nga kjo mazhorancë, për këto fakte të denoncuara publikisht ka vetëm heshtje”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
“E harruat ju Zafar Ansarin, i cili erdhi në Tiranë dhe iu kërkua 3% nga Argita? Apo harruar Damir Fazliç, përsëri tek Argita? Më në fund e zbuluam, se kishim ditë që kërkonim dhe bënim pyetje në të gjithë Tiranën, duke u kërkuar qytetarëve të dashur të na thonin se çfarë kishte bërë një punë të vetme Lul Basha në 4 vite. E gjetëm më në fund, ka bërë një punë të vetme: i ka dhënë leje shtesë kati shtëpisë së vetë”, reagoi më pas nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.