Kosovë, përplasje në Kuvend mbi raportin konfidencial të “Eulex”-it

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i quajti “përrallë dhe poezi” komentet e Albin Kurtit për raportin konfidencial të “Eulex”-it, në të cilin – siç thotë Kurti, – zyrtarët e lartë të PDK-së përshkruhen se kanë interesa personale dhe jo shtetërore.

“Që shteti është i kapur, këtë e tregojnë disa konkluzione të këtij raporti. PDK-ja do kontroll të plotë te krijimi i Gjykatës Speciale. PDK-ja do që të shpëtojë nga kapacitetet hetuese të “Eulex”-it brenda Kosovës. PDK ka për qëllim, që Kosova të shkojë në zgjedhje parlamentare në pjesën e fundit të vitit 2015, ose në muajt e parë të vitit 2016. Gjithashtu të lirohet ‘grupi i Drenicës’ para se të vijnë zgjedhjet e shtatorit 2015 apo marsit 2016”, tha Albin Kurti, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Hashim Thaçi planifikon të bëhet President i Kosovës, në mënyrë që të qëndrojë mënjanë për themelimin e Gjykatës Speciale, ndaj dhe po përpiqet ta bëjë kryeministër ministrin aktual të Drejtësisë, Hajredin Kuçin. Ndërsa Kadri Veseli, duket se dëshpërueshëm dëshiron të bëhet kryeministër.

“Faleminderit për poezitë”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, i cili i quajti shpifje dhe përralla deklaratat e Kurtit.

“Ju po e quani poezi, por unë e quaj përrallë të zakonshme, sepse lirisht mund të themi, që edhe programi i kësaj organizate është i ndërtuar mbi bazën e shpifjeve, që asnjë fëmijë nuk i beson. Është më mirë të merret me hartimin e një programi, mirëpo pasqyra më e mirë se kush është Vetëvendosja, është pushteti në Prishtinë, që e ka degraduar jetën në kryeqytet. Ne i besojmë BE-së, e cila e hodhi poshtë një gjë të tillë. Ne besojmë fuqishëm se, e dimë që ato janë shpifje dhe trillime, që nuk ia duan të mirën këtij vendi”, tha Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së.

Replika me akuza e kundërakuza mes zyrtarëve të PDK-së dhe Vetëvendosjes vazhdoi edhe më tutje.

“Cinizmi i zotit Veseli është dashakeq. Cili është kuptimi, që ai e quan fjalimin tim poezi? Unë nuk e konsideroj veten të zotin për poezi dhe kjo tregon se ai, ose nuk e vlerëson, ose nuk e kupton poezinë”, tha Albin Kurti, deputetet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Faleminderit zoti Kurti për këto përralla, megjithatë presim konfirmim zyrtar, pastaj do të reagojmë zyrtarisht. Por, diçka e paqenë, jo vetëm që s’merret seriozisht, por as nuk mundesh ta kesh”, tha Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Për këtë temë diskutuan në Kuvend edhe deputetë të tjerë nga radhët e opozitës. Në mesin e çështjeve të diskutuara në seancën e së entjes, kryetari i Kuvendit njoftoi se, më 9 qershor do të mbahet një seancë solemne për heroin kombëtar, Isa Boletini.

Leave a Reply