Kosovë, diskutime dyditore për fondet IPA për rajonin

Për herë të parë në Kosovë u organizua takimi për fondet rajonale në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit. Përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Këshillit Rajonal për bashkëpunim dhe Komisionit Europian janë mbledhur në Prishtinë, me qëllim diskutimin rreth këtij fondi IPA, që për vitin 2016 është në vlerën e 360 milionë eurove.

Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, tha se projektet e përbashkëta të vendeve të rajonit janë një mundësi e mirë për bashkëpunim, që kontribuojnë në interesin e përbashkët.

“Ne i kushtojmë shumë rëndësi faktit, që takimi i IPA-s po mbahet këtu në Kosovë. Kjo kontribuon në interesin tonë të përbashkët, për të promovuar marrëdhënie të mira fqinjësore me vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë të enjte dhe të premten do të diskutojmë propozimet e IPA-s për vitin 2016; më lejoni të prezantoj skicën për këtë. Gjatë këtyre dy ditëve të diskutimeve, do të doja të flisja për disa procese të rëndësishme, që po ndodhin në nivel kombëtar; të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë së bashku, në respektimin e zhvillimit kombëtar të IPA-s”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.

Çollaku tha se, vendet anëtare janë të angazhuara në një proces të nivelit të lartë, të njohur si procesi i Berlinit. Sipas tij, agjenda e lidhjes së vendeve të rajonit me procesin e Berlinit është bërë prioritet rajonal për investime, kryesisht në infrastrukturë.

Ndërsa, Morten Jung, udhëheqës i programit, tha se ky proces ka filluar në gusht të vitit 2014 në Berlin, duke vazhduar me takimin e ministrave të 6 vendeve të Ballkanit, me qëllim riafirmimin e lidhjeve, marrëdhënieve të fqinjësisë, bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.

“Ne kemi synimin, që programi të jetë ndihmës, për ta mbajtur agjendën lidhëse të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ne do të vazhdojmë me projekte kyçe, që do të shtojnë rezultatet, dhe gjithashtu do ta mbajmë fokusin në tri strategji të mëdha. Në atë të sundimit të ligjit, në ekonomi dhe në qeverisjen e mirë e reformat në administratën publike”, tha Morten Jung, udhëheqës i programit IPA.

Ky takim do të vazhdojë edhe të premten, ku temë diskutimi do të jenë projektet, që priten të financohen nga Instrumenti i Asistencës së Paraanëtarësimit.

Leave a Reply