Dëme materiale dhe viktima nga moti i keq

Pjesë të ndryshme të Europës janë përfshirë nga moti i keq shoqëruar me stuhi dhe erë të fuqishme. Gjermania u godit nga një stuhi e fuqishme, që shkaktoi kaos në pjesën më të madhe të vendit. E quajtur “Ylenia”, stuhia shkaktoi viktimën e parë mëngjesin e të enjtes në rajonin e Saksonisë së Poshtme. Një 37-vjeçar humbi jetën pasi automjeti i tij u godit nga rrëzimi i një peme.

Erërat e forta bllokuan një autostradë në rajonin verior të Magdeburg-Forpomernit, ku disa kamionë u përmbysën. Mijëra ndërtesa mbetën pa energji elektrike, për shkak të këputjes së linjave. Stuhia shkaktoi vonesa edhe në qarkullimin hekurudhor e atë ajror.

Në Britani, stuhia “Dudley” goditi një qytet të vogël bregdetar të Uellsit, ku dallgët e detit arritën në disa metra lartësi ndërsa më pas stuhia u zhvendos në brendësi të vendit. Sipas autoriteteve, stuhia Dudley pritet të sjellë erëra të forta në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar.

Dy punëtorë ndërtimi u vranë në Poloni të enjten, pasi erërat e forta rrëzuan një vinç 20 metra të lartë. Dy vetë të tjerë u plagosën pasi vinçi u rrëzua nga presioni i erës në Krakov. Era shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme në banesa dhe infrastrukturë.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve të Polonisë, brigadat ndërhynë mbi 1400 herë në të gjithë vendin, duke hequr pemët e rrëzuara si dhe duke ndihmuar banorët të sigurojnë shtëpitë pa çati nga dëmtimet e mëtejshme dhe shiu.

Moti i keq ka përfshirë edhe Brazilin. Të paktën 58 vetë vdiqën pasi shirat e dendur goditën Petropolis, një qytet në një rajon malor të shtetit të Rio de Janeiro-s, ndërsa ekipet e shpëtimit lajmëruan edhe për të zhdukur.

Rrugët e qytetit u përmbytën nga reshjet, ndërsa rrëshqitjet e dheut rezultuan gjithashtu me viktima pasi reshjet e shiut të martën tejkaluan mesataren për të gjithë muajin shkurt.

Leave a Reply