Dhuratë për ditëlindjen, De Biasi merr pasaportën shqiptare

Gianni De Biasi është zyrtarisht shtetas i Republikës së Shqipërisë. Trajnerit të kombëtares kuqezi i është dorëzuar këtë të mërkurë pasaporta shqiptare.

Vetë tekniku italian e ka komunikuar këtë lajm përmes rrjeteve sociale, duke postuar edhe dy foto të pasaportës me shënimin: “Sot më dorëzuan pasaportën shqiptare”.

Në muajin mars, Presidenti Bujar Nishani dekretoi shtetësinë shqiptare për 58-vjeçarin, duke i plotësuar dëshirën që ky i fundit kishte shprehur para ndeshjes me Armeninë, në Elbasan.

“Do të isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuqezi, ka 3 vite e pak”, ishte komenti i trajnerit të përfaqësueses.

Dorëzimi i pasaportës mund të konsiderohet si një dhuratë për ditëlindjen e 59-të të trajnerit, që i mbush më 14 qershor.

Leave a Reply