Dokumentet e FBI-së: Tito u zhduk në vitin 1937, Jugosllavia u drejtua nga një agjent rus

Josip Broz, i njohur kryesisht me nofkën e luftës, Tito, ishte pa dyshim një nga revolucionarët më të suksesshëm të shekullit XX. Pasi udhëhoqi luftën çlirimtare ndaj nazistëve gjermanë, ai e sundoi me dorë të hekurt federaten e përçarë ballkanike, deri në vdekjen e tij më 4 maj 1980. Trashëgimia e tij, mbetet ende sot shumë e debatueshme. Por debati më i zjarrtë që vlonte nën zë në Jugosllavinë e para viteve 1990, kishte të bënte me identitetin e vërtetë të këtij njeriu…

Në 20 prill 1955, Marijan Xhon Markul hyri në zyrën e FBI-së në Los Angeles, dhe u rrëfeu agjentëve një histori tronditëse. Njeriu që asokohe e prezantonte veten si Marshalli Josip Broz Tito, nuk ishte në të vërtetë ai, por një agjent rus që vodhi identitetin e Titos, pasi Josip Brozi i vërtetë u zhduk në Rusi në vitin 1937.

Kjo thuhet në raportin e FBI-së të fillim majit të vitit 1955, i deklasifikuar vetëm në vitin 2019.  Marijan Markul lindi në Livno në Bosnjen e sotme në vitin 1909. Emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1936, dhe mori nënshtetësinë amerikane në vitin 1944, pasi shërbeu për 2 vjet në ushtrinë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Raporti thotë se FBI nuk ishte e sigurt, se sa i saktë ishte informacioni që dha Markul, por nënvizon se vizitori pretendonte se ishte “një socialist që donte të jepte informacione, të cilat mund të ishin të rëndësishme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”.

Raporti i deklasifikuar mbi takimin e agjentëve të FBI me Markul, thekson se ky i fundit e kishte vizituar Jugosllavinë në vitin 1953, kur ishte takuar me Titon në 2 raste. Takimi i parë zgjati rreth 1 orë, dhe me atë rast, ai vuri në dukje se Marshalli Tito kishte 5 gishta në secilën dorë.

Ndërkohë po sipas Markul, Tito i vërtetë kishte humbur gishtin e mesëm dhe atë tregues të dorës së majtë. Ai shtoi se Tito që takoi në vitin 1953, ishte i mirë-arsimuar,  dhe luante shkëlqyeshëm në piano. Nga ana tjetër, ai tha se Tito i vërtetë ishte i paarsimuar, dhe me aq sa dinte Markul, ai nuk dinte të luante në piano.

Ndër të tjera, Markul pohoi se Josip Broz i vërtetë ishte i gjatë rreth 180 centimetra, ndërsa Tito “i rremë” ishte vetëm 160 cm i gjatë. Markul theksoi gjithashtu se njeriu që në vitet 1950 e paraqiste veten si Tito, fliste me një ton butë me një theks të lehtë rus. Ndërkohë që Tito i vërtetë, kishte një ton zëri më të fortë, dhe një të folur të rrjedhshme të serbo-kroatishtes.

Markul pohoi se Tito i vërtetë ishte shumë i sëmurë, vuante nga Tuberkulozi, dhe ishte zhdukur në Rusi në vitin 1937. Ai nënvizoi gjithashtu tha se në fund të viteve 1920, kishte biseduar me Titon e vërtetë në Jugosllavi, dhe ishte takuar me të në Paris në vitet 1935 dhe 1936, duke shtuar se ishte i bindur se pikërisht ai njeri ishte Josip Brozi i vërtetë.

Pasi takoi Marshallin në vitin 1953, Marijan vizitoi motrën e tij të martuar në Zagreb. Ata zhvilluan një bisedë mbi çështjen nëse udhëheqësi aktual i Jugosllavisë ishte Tito i vërtetë, dhe në fund ranë dakord se ai nuk ishte. Bashkëshorti i motrës, Boris Goriç, i pohoi se nuk ishte i sigurtë mbi identitetin e Titos, dhe se kjo gjë përflitej në të gjithë Jugosllavinë.

Raporti thotë se motra e tij dhe burri i saj, nuk besonin se në krye të Jugosllavisë ishte Josip Broz Tito i vërtetë. Ata nisën të dyshojnë për këtë gjë që në vitin 1937, kur dëgjuan zërin e tij në radio, dhe vërejtën një ndryshim të theksit. Markul pretendoi ndërkohë se edhe babai i tij Ivani, e njihte Titon e vërtetë, pasi ata punonin në të njëjtin qytet. Edhe ai e pranonte se bëhej fjalë për 2 njerëz të ndryshëm.

Markul e takoi për herë të dytën Titon po në vitin 1953 në Zagreb. Këtë herë Marijan dhe gruaja e tij Ingrid, u shpërfillën thuajse tërësisht nga Marshalli. Pas pritjes së ftohtë nga Marshalli, Markul bisedoi për orë të tëra me Aleksandër Rankoviçin, për të cilin ai pretendoi se ishte në të vërtetë njeriu më i plotfuqishëm i Jugosllavisë.

Dyshohet se Rankoviç dhe Markul, kishin qenë bashkë në burg në fund të viteve 1920, për shkak të angazhimit të tyre në grevat e sindikatave, dhe gjatë asaj kohe ata ishin bërë miq të ngushtë. Për këtë arsye, Markul i tha hapur Rankoviçit se ai e dinte që Tito që ndodhet në dhomën ngjitur, nuk ishte ai i vërteti.

Markul u tha agjentëve të FBI-së se sipas mendimit të tij, autoritetet jugosllave bashkëpunonin fshehurazi me Bashkimin Sovjetik, dhe se kjo gjë më vonë do të bëhej e qartë për të gjithë. Ai shprehu ndërkohë bindjen e tij, se nëse dëshironin autoritetet sovjetike, mund ta hiqnin lehtësisht qafe Titon.

Markul shtoi se të gjitha deklaratat e tij, mund të rikonfirmoheshin nga Zivko Topaloviç, që banonte në Francë. Sipas Markul, Topaloviç e njihte Titon e vërtetë, dhe për këtë arsye autoritetet jugosllave e dënuan me 20 vjet burg. Dhe kjo ishte arsyeja pse ai u arratis në Francë. Topaloviç besonte se personi që e prezantonte veten si Tito, ishte në fakt gjenerali rus Nikolai Lebedev.

Markul arriti në përfundimin se qeveria jugosllave, bënte gjoja sikur po përplasej me Bashkimin Sovjetik, vetëm që të merrte ndihma nga Shtetet e Bashkuara, dhe se në fakt midis 2 vendeve nuk kishte pasur kurrë një përçarje të vërtetë. Markul shtoi se njeriu që e paraqiste veten si Tito, ishte në të vërtetë një agjent rus tërësisht besnik ndaj Moskës.

Vetë Markul dëshmoi se kishte qenë disa vite në Rusi. Tanimë, ai pretendonte se kishte parë shumë nga agjentët rusë në rrugët e Jugosllavisë. Në vitin 1930, ai shkoi në Rusi ku mendoi se shoqëria atje ishte më idealja për të jetuar. Por shumë shpejt u arrestua dhe internua “pasi nuk arriti të plotësojë kuotat në punë”.

Ai u tha agjentëve amerikanë të FBI-së, se u arratis nga Rusia 3 vjet më vonë nëpërmjet Siberisë. “Markul pretendon se autoritetet jugosllave shtirren sikur kanë mosmarrëveshje me Bashkimin Sovjetik, në mënyrë që të marrin ndihma financiare nga SHBA, dhe se në fakt nuk ka ndonjë përçarje të vërtetë midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik”-thuhet në dokumentin e FBI-së amerikane dikur të klasifikuar si tepër sekret. / global-politics.eu – bota.al

Leave a Reply